Grupi i armatosur kurd merr përsipër sulmin vdekjeprurës në Ankara

Europë | 2 vite më parë

Partia e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) të premten mori përsipër sulmin vdekjeprurës të tri ditëve më parë në Ankara, ku mbetën 5 të vrarë dhe mbi 20 individë u plagosën.

Sulmi u krye nga një burrë dhe një grua brenda ndërtesës së TUSAS-it, ku operon kompania turke për prodhimin e mjeteve të mbrojtjes dhe fluturimit, si avionë civilë dhe ushtarakë, dronë dhe pajisje të tjera për sistemet ajrore.

Ata mësynë të armatosur me pushkë dhe me eksplozivë.

“Ky akt, i planifikuar me kohë dhe i realizuar me sukses, nuk ka asnjë lidhje me agjendën politike të diskutuar në Turqi në muajin e fundit. Akti sakrifikues në kampusin e TAI-t në Ankara rreth orës 15:30 të së mërkurës u krye nga ekipi i batalionit të të pavdekshmëve,” reagoi PKK-ja duke iu referuar një prej grupeve ushtarake të armatosura.

PKK-ja konsiderohet zyrtarisht si një organizatë terroriste nga Turqia, SHBA-ja dhe Bashkimi Europian.

Disa orë pas sulmit, avionët luftarakë turq hodhën bomba mbi disa objektiva të PKK-së në Irak dhe Siri.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme