Bëri thirrje për aleancë me Le Pen, Partia Republikane rrëzon liderin e saj, Ciotti refuzon të largohet

Europë | 2 vite më parë

Partia Republikane e Francës ka rrëzuar liderin e saj, Eric Ciotti, pasi ai bëri thirrje për një aleancë politike me Tubimin Kombëtar të ekstremit të djathtë të Marine Le Pen, në zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen në fund të këtij muaji. Krerët politikë të partisë së krahut të djathtë e morën vendimin pak më shumë se 24 orë pasi plani i Ciotti-t shkaktoi zhurmë mes politikanëve republikanë.

Por pavarësisht vendimit unanim të anëtarëve të partisë së tij, Ciotti është zotuar se do të qëndrojë në detyrë. Ciotti besohej se ishte izoluar në zyrën e tij të mërkurën pasi mbylli anëtarët jashtë selisë së partisë së tij në Paris, mes një revolte masive mbi thirrjen e tij për një aleancë me partinë e ekstremit të djathtë të Marine Le Pen.

Skenat e jashtëzakonshme jashtë zyrave të mbyllura i bënë jehonë rrëmujës që ka kapluar politikën franceze që kur Emmanuel Macron thirri zgjedhjet e parakohshme të dielën, në përpjekje për të kundërshtuar ngritjen e së djathtës ekstreme.

Figura të larta nga Partia Republikane mbërritën në selinë e partisë të mërkurën, ku kishin planifikuar të mbanin një takim për të rrëzuar Ciottin, duke thënë se njoftimi i tij të martën për një aleancë me Le Pen ishte një tradhti ndaj vlerave të tyre. Megjithatë, ata e gjetën ndërtesën të mbyllur.

Ciotti postoi në X se ai kishte mbyllur dyert “pasi kishte marrë kërcënime dhe se duhej të garantonte sigurinë e stafit”.

“Për më tepër, nuk ka pasur kurrë ndonjë takim të planifikuar këtë pasdite,” shkroi ai.

Anëtarët e partisë u larguan për të mbajtur një takim diku tjetër në përpjekje për të shkarkuar Ciottin, gjë që Ciotti tha se nuk ishte e mundur sipas statuteve të partisë.

Macron thirri zgjedhje të parakohshme parlamentare të dielën mbrëma pasi partia e ekstremit të djathtë të Le Pen fitoi më shumë se 31% të votave në zgjedhjet evropiane, më shumë se dyfishi i rezultatit të fituar nga grupimi i Macron. Zgjedhjet do të mbahen më 30 qershor dhe 7 korrik./ france24

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme