U zgjodh eurodeputete, aktivistja italiane Ilaria Salis pritet të lirohet nga paraburgimi

Aktivistja italiane, Ilaria Salis, e cila mbahet prej më shumë se një viti në paraburgim në Hungari e akuzuar për sulm ndaj protestuesve të ekstremit të djathtë, pritet të lirohet. Kjo pasi 40-vjeçarja, aktiviste dhe mësuese, fitoi nga burgu një vend në parlamentin europian si eurodeputete.
Salis është zgjedhur deputete e Aleancës së Gjelbër dhe do të lirohet si rezultat i imunitetit të saj që gëzon tashmë si eurodeputete.
Mësuesja e ciklit të ulët në Monza të Milanos, kaloi 15 muaj në burg pasi u akuzua për sulm fizik në bashkëpunim pas një konflikti fizik mes liberalëve dhe atyre të ekstremit të djathë në Budapest ku po shënohej “Dita e Nderit” e Luftës së Dytë Botërore.
Çështja bëri bujë kur ajo u shfaq në gjykatë e prangosur dhe e lidhur me zinxhirë. Pas protestave publike dhe 90,000 firmave të qytetarëve që kërkonin lirimin e saj, Roma thirri ambasadoren hungareze dhe përfundimisht siguroi transferimin e Salis në arrest shtëpiak.
Gazetar: Artur Mata
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




