DASH: SHBA e shqetësuar, rrezik përshkallëzimi i kufirit Izrael-Liban

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Mattheë Miller ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara mbeten “tepër të shqetësuara” për rrezikun e përshkallëzimit në kufirin Izrael-Liban.
“Është diçka për të cilën kemi qenë të shqetësuar që nga pasojat e menjëhershme të 7 tetorit, dhe ne kemi qenë të angazhuar në biseda diplomatike intensive, negociata intensive diplomatike, në përpjekje për të shmangur që konflikti të përshkallëzohet jashtë kontrollit” tha Miller në një konferencë të departamentit me gazetarët.
Sulmet ndërkufitare nga Libani çuan në përplasje të mëdha që shpërthyen në rajonin verior të Izraelit këtë javë dhe ushtria izraelite paralajmëroi se ishte e përgatitur të fillonte një sulm në shkallë të gjerë në veri për të penguar grupin islamik Hezbollah të mbështetur nga Irani.
Miller përsëriti të mërkurën se “është një situatë e paqëndrueshme për Izraelin” pasi dhjetëra mijëra izraelitë nuk mund të kthehen në shtëpitë e tyre në veri për shkak të “granatimeve të vazhdueshme të Hezbollahut dhe sulmeve me dronë”.
Miller pohoi se qeveria izraelite i ka thënë privatisht SHBA-së se “zgjidhja e tyre e preferuar për këtë konflikt është një zgjidhje diplomatike”.
Ai shtoi se “një nga arsyet që ne mendojmë se një armëpushim në Gaza është kaq i rëndësishëm është sepse ai armëpushim do të hapte potencialin që ne të arrijmë realisht qetësi të qëndrueshme në veri”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




