Mbyllja e Al Jazeeras, Gjykata miraton ndalimin e përkohshëm të transmetimeve

Botë | 2 vite më parë

Gjykata izraelite e ka mbështetur këtë të mërkurën vendimin e qeverisë për një ndalim 35-ditor, për arsye të sigurisë kombëtare, të operimit të transmetuesit televiziv Al Jazeera. Gjyqtari i Gjykatës së Qarkut të Tel Avivit, Shai Yaniv tha se atij i ishin ofruar prova, të cilat ai nuk i specifikoi, për një marrëdhënie të gjatë dhe të ngushtë midis Hamasit dhe transmetuesit Al Jazeera të mbështetur nga Katari, duke akuzuar kanalin për promovimin e qëllimeve të grupit radikal.

“Liria e shprehjes ka një rëndësi të veçantë në kohë lufte. Megjithatë, kur ka dëm të konsiderueshëm për sigurinë e shtetit, konsiderata e fundit është e para”, tha ai. Autoritetet izraelite bastisën një dhomë hoteli në Jerusalem, të përdorur si zyrë nga Al Jazeera, më 5 maj dhe thanë se po mbyllnin operimin për kohëzgjatjen e luftës në Gazë, duke e akuzuar transmetuesin për inkurajimin e armiqësive kundër Izraelit.

Al Jazeera hodhi poshtë akuzat të cilat i quajti “gënjeshtër e rrezikshme dhe qesharake” që rrezikonte gazetarët e saj. Al Jazeera, e cila ka kritikuar operacionet ushtarake të Izraelit në Gazë, nga ku ka raportuar gjatë gjithë luftës, i tha gjykatës se nuk ka nxitur dhunë apo terrorizëm dhe se ndalimi ishte joproporcional, sipas dokumenteve të gjykatës. Zyra e Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut dhe Shtetet e Bashkuara e kanë kritikuar mbylljen e operimit të Al Jazeera-s në Izrael.

/RTSH/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme