Raketa e Koresë së Veriut e lëshuar nga Rusia kundër Ukrainës përmban pjesë të prodhuara në SHBA dhe Evropë

Botë | 3 vite më parë

Sipas një raporti të ri, një raketë balistike koreano-veriore e lëshuar muajin e kaluar nga ushtria ruse në Ukrainë, përmbante qindra komponentë që vijnë nga kompanitë në SHBA dhe Evropë.

Gjetjet shënojnë identifikimin e parë publik të mbështetjes së Koresë së Veriut në teknologjinë e huaj për programin e saj të raketave dhe nënvizojnë problemin e vazhdueshëm me të cilin përballet administrata Biden, teksa përpiqet të mbajë mikroelektronikat e lira, të prodhuara nga perëndimi, të destinuara për përdorim civil, që të mos përfundojnë në armët e përdorura nga Koreja e Veriut, Irani dhe Rusia.

Organizata hetimore me bazë në Mbretërinë e Bashkuar, Conflict Armament Research, ose CAR, ekzaminoi drejtpërdrejt 290 komponentë nga mbetjet e një rakete balistike të Koresë së Veriut të gjetur në janar nga Kharkiv, Ukrainë dhe zbuloi se 75% e komponentëve ishin projektuar dhe shitur nga kompanitë e inkorporuara në Shtetet e Bashkuara, sipas raportit të ndarë së pari me CNN.

Nga ana tjetër 16% e komponentëve të gjetur në raketë ishin të lidhura me kompanitë e inkorporuara në Evropë, zbuluan studiuesit, dhe 9% me kompanitë e inkorporuara në Azi. 

Këta komponentë përfshinin kryesisht sistemin e navigimit të raketës dhe mund të gjurmoheshin në 26 kompani me seli në SHBA, Kinë, Gjermani, Japoni, Holandë, Singapor, Zvicër dhe Tajvan, thuhet në raport.

Vitin e kaluar,  siç raportoi më parë CNN, CAR përcaktoi se 82% e komponentëve brenda dronëve sulmues të prodhuar nga Irani të gjuajtur nga Rusia brenda Ukrainës ishin prodhuar nga kompani amerikane.

Së bashku me sanksionet e gjera dhe kontrollet e eksportit që synojnë frenimin e aksesit në teknologjinë e prodhuar nga perëndimi, në fund të vitit 2022, administrata e Biden krijoi gjithashtu një grup pune të gjerë për të hetuar se si komponentët e SHBA-së dhe Perëndimit, përfshirë mikro elektronikën e prodhuar nga Amerika, po përfundonin në Iran. Rusia ka  lëshuar me qindra drone në Ukrainë.

Nuk është e qartë se sa përparim ka bërë ajo task force – Këshilli i Sigurisë Kombëtare nuk iu përgjigj kërkesave të shumta për koment. 

Duke anashkaluar sanksionet 20-vjeçare

Raporti i fundit i CAR nuk përmend kompanitë specifike që prodhuan komponentët, sepse nuk ka asnjë provë që firmat i dërguan qëllimisht pjesët në Korenë e Veriut – në vend të kësaj, komponentët ka të ngjarë të devijoheshin diku në zinxhirin e gjerë global të furnizimit pasi kompanitë i shitën ato në shpërndarës të ndryshëm ndërkombëtarë. Prandaj, CAR preferon të punojë me kompanitë në përpjekje për të rregulluar problemin në vend që t’i emërojë dhe t’i turpërojë ato, tha një zëdhënës i CAR për CNN.

Hulumtimi tregon gjithashtu se Koreja e Veriut ishte në gjendje të prodhonte raketën dhe ta dërgonte shpejt në Rusi. 

Komponentët e ekzaminuar nga studiuesit janë prodhuar midis 2021 dhe 2023. Bazuar në ato data të prodhimit, studiuesit thonë se raketa “nuk mund të ishte montuar përpara marsit 2023” dhe po përdorej nga Rusia në Ukrainë deri në janar.

Fakti që prodhimi i raketave të Koresë së Veriut duket se ushqehet nga pjesë me origjinë nga Perëndimi, nënvizon se sa e vështirë është për SHBA-të dhe aleatët e saj të kontrollojnë se ku po shkojnë pajisjet elektronike komerciale, veçanërisht komponentët gjysmëpërçues që janë jashtëzakonisht sfidues për t’u gjurmuar pasi të hyjnë në botën globale të zinxhirit të furnizimit.

Gjetjet tregojnë se Koreja e Veriut “ka zhvilluar një rrjet të fuqishëm blerjesh të aftë për të anashkaluar, pa u zbuluar, regjimet e sanksioneve që kanë qenë në fuqi për gati dy dekada,” thotë raporti i CAR.

Ndërsa Rusia vazhdon të furnizohet nga Koreja e Veriut dhe Irani, administrata Biden nuk ka qenë në gjendje të dërgojë armatime dhe pajisje të reja për ushtrinë ukrainase, sepse Kongresi nuk ka miratuar fondet shtesë të kërkuara për ta bërë këtë. 

Më shumë dëshmi për lidhjet e Rusisë dhe Koresë së Veriut

Shtëpia e Bardhë konfirmoi muajin e kaluar se Rusia ka gjuajtur raketa të Koresë së Veriut në qytetet e Ukrainës. Koreja e Veriut gjithashtu ka të ngjarë t’i ketë ofruar Rusisë me “miliona predha artilerie” gjatë vitit të kaluar, sipas një raporti të publikuar javën e kaluar nga inspektori i përgjithshëm i Pentagonit.

Zyrtarët e inteligjencës në Uashington janë gjithnjë e më shumë të shqetësuar për lidhjet në rritje midis Koresë së Veriut dhe Rusisë, raportoi më parë CNN, dhe implikimet afatgjata të asaj që duket të jetë një nivel i ri i partneritetit strategjik midis dy kombeve.

CAR tha se ekzaminimi i saj i raketës së Koresë së Veriut “tregon se Koreja e Veriut ka qenë në gjendje të prodhojë armë të avancuara, duke integruar komponentë të prodhuar deri në vitin 2023, pavarësisht nga  sanksionet e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në fuqi që nga viti 2006 që ndalojnë prodhimin e raketave balistike nga Korea e Veriut.”

Përdorimi i raketave të Koresë së Veriut nga Rusia në fushën e betejës në Ukrainë mund të japë gjithashtu të dhëna të Phenianit që nuk mund t’i marrë nga një program testimi që ka parë dhjetëra armë të shkrepura gjatë viteve të fundit nën udhëheqjen e Kim Jong Un.

Koreja e Veriut gjithashtu mund të kërkojë ndihmë ushtarake nga Rusia duke përfshirë “avionë luftarakë, raketa tokë-ajër, automjete të blinduara, pajisje të prodhimit të raketave balistike, materiale lufte dhe teknologji të tjera të avancuara”, tha zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby muajin e kaluar.

“Kjo do të kishte implikime në lidhje me sigurinë për Gadishullin Korean dhe rajonin Indo-Paqësor”, shtoi ai. CNN

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme