Afrimi i të rinjve me librin, nisma e bibliotekës në Shkodër përmes organizimeve

Në këtë pjesë të parë të vitit, Biblioteka “Marin Barleti” ka qenë përherë aktive sa i përket zhvillimeve letrare e artistike të qytetit si dhe aktiviteteve të ndryshme me fokus librin. “Qyteti im, nektari im” është një prej iniciativave të Bibliotekës publike të Shkodrës dedikuar të rinjve. Krijimi letrar më i mirë, punimet më të mira në Multimedia dhe Arte Figurative janë në fokus të projektit.
“Iniciativa e radhës është një projekt që i drejtohet shkollave të mesme dhe të larta”, tha drejtoresha e bibliotekës “Marin Barleti”, Ledia Dushi.
Krijimi i klubit të librit “Mes miqsh” është një tjetër risi e kohëve të fundit. Të rinjtë që vijnë nga shkolla të ndryshme të qytetit diskutojnë si në një forum tematika të lidhura me librin dhe moshën e tyre.
“Të rinjtë gjatë këtyre minutave që ndodhen në shoqërinë e njeri tjetrit duke marrë shkas nga librat apo nga vepra të ndryshme letrare, shkëpusin tema apo pasazhe të ndryshme si dhe çështje të ndryshme për të diskutuar me njeri tjetrin dhe për ti trajtuar ato sipas mënyrës së tyre individuale”, tha përgjegjësja e grupit Blerta Sinani.
“Biblioteka që dua”, “Unë jam Biblioteka” apo “Dhuro një libër, dhuro një copëz Shqipëri” janë disa nga iniciativat e krijuara së fundmi të Bibliotekës që kanë për qëllim të afrojnë të rinjtë me librin.
Gazetare: E. Dyrmishi
/RTSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




