Akademia e Shkencave hap platformën online të Fjalorit të Madh të Gjuhës Shqipe

Arsim | 9 muaj më parë

Akademia e Shkencave e Shqipërisë ka hapur zyrtarisht për publikun platformën online të Fjalorit të Madh të Gjuhës Shqipe, duke ofruar qasje të lirë për të gjithë përdoruesit në domenin fjalori.online. Vendimi është marrë me vendimin nr. 1, datë 06.01.2026, ndërsa faqja është bërë funksionale nga data 12.01.2026.

Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe përbën një nga tre projektet madhore në fushën e albanologjisë, krahas veprave “Historia e Shqiptarëve” dhe “Enciklopedia Shqiptare”, të ndërmarra nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë për promovimin e identitetit, historisë dhe trashëgimisë kulturore kombëtare.

Vepra është përgatitur nga një ekip shkencor nën drejtimin e akademik Jani Thomai, kryeredaktor, me zëvendëskryeredaktorë akademik Valter Memishaj dhe Prof. Dr. Shezai Rrokaj. Hapi përfundimtar i projektit do të jetë botimi i fjalorit në dhjetë vëllime, i planifikuar për vitin e ardhshëm.

Platforma online është konceptuar për të mundësuar komunikim dhe ndërveprim me përdoruesit, si dhe përdorim në të gjitha pajisjet digjitale. Gjatë një periudhe nëntëmujore nga hapja, do të mblidhen mendime, sugjerime dhe plotësime nga publiku për përmirësimin e mëtejshëm të fjalorit. Pas kësaj faze, Redaksia e Fjalorit dhe Koordinatori Teknik do të përpunojnë sugjerimet brenda një afati tremujor.

Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe konsiderohet një mjet themelor për shkrimtarët, publicistët, nxënësit, studentët, mësuesit, pedagogët, studiuesit dhe për këdo që merret me përdorimin dhe kultivimin e gjuhës shqipe, si në formën e shkruar ashtu edhe në atë të folur.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme