Alpet shqiptare tërheqin vizitorët- Natyra, shtigjet dhe lundrimi mbeten atraksionet kryesore të sezonit

Aktualitet | 2 muaj më parë

Alpet shqiptare vijojnë të jenë një nga destinacionet më të kërkuara nga turistët vendas dhe veçanërisht nga ata të huaj gjatë sezonit veror. Peizazhet natyrore, shtigjet malore dhe mundësitë për aventura po e bëjnë këtë zonë një nga pikat më të vizituara të turizmit në vend.

Thethi, Valbona dhe Lumi i Shalës mbeten destinacionet më të preferuara, ndërsa shtegu Theth–Valbonë vazhdon të konsiderohet një nga itineraret më të bukura për ecje në Ballkan.

Përveç tij, vizitorët zgjedhin edhe shtigje të tjera që lidhin Shqipërinë me Kosovën dhe Malin e Zi.

“Çdo ditë e kalojnë këtë shteg ndoshta nga 2.000 deri në 2.500 persona në ditë. Pra, është një shifër që është tregues i qartë se ky është një nga shtigjet më kryesore. Do të thoja, ky shteg pasohet gjithashtu edhe nga Majat e Ballkanit, i cili kalon në tre shtete të ndryshme. Pra, fillon në Shkodër, në Shqipëri, për të vazhduar pastaj në Mal të Zi, më pas në Kosovë, dhe kështu me radhë”, tha Kastriot Faci, udhërrëfyes turistik”.

Një tjetër atraksion i rëndësishëm është lundrimi në liqenet e Komanit dhe Fierzës, i cili u ofron turistëve mundësinë të shijojnë nga afër peizazhet spektakolare të Alpeve.

“Është udhëtimi nga Komani në Fierzë me tragetin që ofron kjo linjë. Është një udhëtim i jashtëzakonshëm dhe pastaj, që të dalim nga Fierza në Bajram Curri dhe nga Bajram Curri në Valbonë, prapë është një mrekulli më vete”, Lida Haxhija, Tur-operatore.

Interesi për turizmin malor vijon të rritet nga viti në vit, falë natyrës së paprekur, shtigjeve të njohura dhe eksperiencave të larmishme që ofrojnë Alpet shqiptare për çdo vizitor.

Gazetar: M. Gjini

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme