Ambasadori italian për zhvillimet politike/ Alberti: Situata po ndiqet me vëmendje, por nuk është detyrë e ambasadorit të prononcohet
Ambasadori i Italisë në Shqipëri, Marco Alberti, gjatë vizitës në Korçë foli edhe për protestat dhe zhvillimet e fundit politike. Ai tha se situata po ndiqet me vëmendje, por theksoi se nuk është detyrë e një ambasadori të huaj të prononcohet për zhvillimet politike në vend.
“Ne i vëzhgojmë protestat në shesh, por nuk i takon ambasadorit të komentojë për këto çështje. Mendoj se vendi është përballë një fenomeni të rëndësishëm dhe ne po e vëzhgojmë. Ne nuk komentojmë pasi këto janë çështje që lidhen me marrëdhëniet dypalëshe dhe nuk janë çështje për të cilat ambasada komenton”, deklaroi Marco Alberti, Ambasador i Italisë në Shqipëri.
I pyetur për çështjen që lidhet me Vlora Hysenin, Alberti tha se ambasada fokusohet te bashkëpunimi dypalësh dhe nuk mund të japë një qëndrim për këtë temë. Ai bëri të ditur se investimet italiane në Shqipëri kapin rreth 1 miliard euro, ndërsa investimet e reja pritet të krijojnë 600 deri në 700 vende pune.
“Ne po punojmë për t’i dhënë marrëdhënieve dypalëshe një përmbajtje shumë strategjike. Besoj se sot ka në Shqipëri investime italiane që kalojnë vlerën e 1 miliard eurove. Ka investime që do të krijojnë dhe do të mundësojnë 600 deri 700 vende të reja pune si dhe investime në sektor strategjik që më parë nuk ishin të pranishëm. Për shembull sektorin dixhital në inteligjencë artificiale si dhe në shëndetësi për Italinë sot është e rëndësishme t’u japë marrëdhënieve me Shqipërinë një përmbajtje strategjike sepse ne besojmë se edhe përmes zhvillimit të sektorit ekonomik mund ta ndihmojmë Shqipërinë në negociatat e saj për anëtarësim në Bashkimin Evopian, gjë që për ne është një prioritet absolut”, nënvizoi ambasadori. Nga Korça, Alberti theksoi edhe rëndësinë e krijimit të mundësive për të rinjtë, që ata të qëndrojnë, të punojnë dhe të kontribuojnë në Shqipëri.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




