Kongresi Shqiptar i Traumës dhe Kirurgjisë së Urgjencës, Begaj: S’duhen trajtuar thjesht si një specialitet mjekësor, por si shtyllë e sigurisë sonë kombëtare

Presidenti Bajram Begaj, mori pjesë në ceremoninë e hapjes së edicionit të 10-të jubilar të Kongresit Shqiptar të Traumës dhe Kirurgjisë së Urgjencës.
Gjatë fjalës përshëndetëse, Kreu i Shtetit theksoi rëndësinë strategjike të sistemit të traumës për shëndetin publik.
“Trauma dhe kirurgjia e urgjencës nuk duhen trajtuar thjesht si një specialitet mjekësor. Ato janë çështje të shëndetit publik dhe, në një kuptim të veçantë, janë shtyllë e sigurisë sonë kombëtare”, tha ai.
Begaj theksoi nevojën për forcimin e mëtejshëm të sistemit të traumës, me koordinim të plotë të të gjitha hallkave të kujdesit shëndetësor, nga ndërhyrja e parë në vendngjarje, deri te rehabilitimi i pacientëve.
“Shqipërisë i duhet një sistem kombëtar i traumës gjithnjë e më i integruar, me protokolle të njëtrajtshme, koordinim dhe akses cilësor për çdo qytetar, pavarësisht vendit ku ai ndodhet. Gjatë viteve, vendi ynë ka ngritur kapacitete të rëndësishme. Spitali Universitar i Traumës, shoqatat profesionale, Universiteti i Mjekësisë dhe veprimtari si ky kongres kanë konsoliduar përvojën e një komuniteti profesionistësh që meriton mirënjohje të thellë”, theksoi Presidenti.
Duke iu referuar përvojave të tërmetit të vitit 2019 dhe pandemisë, Begaj theksoi rëndësinë e gatishmërisë dhe bashkëpunimit mes institucioneve shëndetësore, emergjencave civile, Policisë së Shtetit dhe Forcave të Armatosura, që duhet të funksionojnë si një mekanizëm i unifikuar.
Presidenti Begaj u ndal, gjithashtu, te zhvillimet teknologjike në mjekësi. Duke vlerësuar potencialin e inteligjencës artificiale, kirurgjisë robotike dhe teknologjive të reja diagnostikuese, Presidenti u shpreh: “Teknologjia duhet t’i shërbejë mjekut dhe pacientit, jo ta largojë mjekun nga pacienti”.
Ndërkohë, në një mesazh drejtuar mjekëve të rinj dhe studentëve, Presidenti i Republikës theksoi rëndësinë e hulumtimit të vazhdueshëm profesional dhe të përkushtimit ndaj pacientit gjatë gjithë karrierës. Mbështetjen ndaj tyre e cilësoi si prioritet: “Investimi në formimin tuaj dhe krijimi i mundësive që ju mbajnë të lidhur profesionalisht me Shqipërinë është investimi më i mençur në të ardhmen e shëndetësisë sonë”.
Në përfundim, Kreu i Shtetit vlerësoi kontributin e mjekëve, kirurgëve, infermierëve dhe ekipeve të urgjencës në shpëtimin e jetëve. Ndërsa e cilësoi Kongresin Shqiptar të Traumës dhe Kirurgjisë së Urgjencës si një platformë të rëndësishme bashkëpunimi, Presidenti Begaj uroi që të sjellë rezultate të prekshme për qytetarët.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




