Antibiotikët te kafshët; periudha pas trajtimit, kyçe për sigurinë ushqimore
Përdorimi i antibiotikëve në blegtori duhet të kryhet vetëm me rekomandimin e mjekut veteriner dhe duke respektuar dozat e përcaktuara, në mënyrë që të mbrohet shëndeti i kafshëve dhe siguria ushqimore e konsumatorëve.
Veterinerët bëjnë apel që antibiotikët të mos përdoren pa kriter apo si masë parandaluese, pasi përdorimi i pakontrolluar rrit rrezikun e rezistencës ndaj antibiotikëve dhe mund të lërë mbetje të dëmshme në produktet me origjinë shtazore.
“Para se të fillojë një mjekim me antibiotik duhet të konsultohen me mjekun veteriner, sepse nuk duhet të përdoren pa kriter ose për diçka të vogël përdoret antibiotiku. Ky antibiotik, në qoftë se përdoret masivisht, kur të vijë pastaj sëmundja serioze, nuk vepron. Atëherë, që të shpiket një antibiotik është një kosto shumë e madhe, mund të jenë deri në 800.000 dollarë që të shpiket një antibiotik. Numri i antibiotikëve të zbuluar të rinj sa vijë është më i vogël. Ne po luftojmë me antibiotikët ekzistues. Një pjesë e tyre kanë krijuar antibiotiko-rezistencë.” – tha Arben Qafëzezi, mjek veteriner.
Pas përfundimit të trajtimit, blegtorët duhet të respektojnë periudhën e pritjes të përcaktuar për çdo medikament.
Gjatë kësaj kohe, mishi i kafshëve të trajtuara nuk duhet të theret për konsum, ndërsa qumështi nuk duhet të përdoret për ushqim deri në përfundimin e afatit të përcaktuar në udhëzimet e produktit ose nga mjeku veteriner.
“Duhet të kemi parasysh edhe kohën e pezullimit të antibiotikut për të rritur sigurinë ushqimore. Çdo antibiotik që përdoret, që injektohet te kafsha, kërkon që qumështi disa ditë pasi të ketë mbaruar kura të përdoret për konsum, sepse një pjesë e antibiotikut eliminohet me anë të qumështit. Kjo mund të ketë pasoja fatale, sepse mund të jetë një qytetar që është i ndjeshëm ose alergjik ndaj penicilinës. Nëse është përdorur penicilinë, ai e merr nëpërmjet qumështit dhe mund të japë një reaksion anafilaktik, i cili mund të ndodhë edhe me pasoja fatale.”
Qafëzezi u bën thirrje fermerëve që për çdo problem shëndetësor të kafshëve, të konsultohen me veterinerin dhe të shmangin përdorimin e barnave pa këshillim profesional.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





