Atentat në Sarandë, vritet me armë zjarri një 44-vjeçar, plagoset një kalimtar. 2 autorët u larguan me motor dhe skafandra

Aktualitet | 1 ditë më parë

Një atentat me armë zjarri ka tronditur mëngjesin e sotëm qendrën e Sarandës. Ngjarja ndodhi në orën 09:55, pranë ish-agjencisë, ku në rrethana ende të paqarta u qëllua për vdekje 44-vjeçari Artan Murtaj, i njohur me nofkën “Tani Ruzhdiut”.

Sipas të dhënave paraprake, dy persona të maskuar, të cilët lëviznin me motor, kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të Murtajt dhe më pas janë larguar nga vendngjarja.

Nga të shtënat mbeti i plagosur edhe një kalimtar i rastit, 73-vjeçari Xh. S., i cili është transportuar në spital për të marrë ndihmë mjekësore.

Menjëherë pas ngjarjes, Policia është vënë në ndjekje të autorëve dhe ka ngritur pika kontrolli në drejtim të Vlorës dhe Gjirokastrës. Në vendngjarje ka mbërritur grupi hetimor, ndërsa nën drejtimin e Prokurorisë po vijon puna për mbledhjen e provave dhe identifikimin e autorëve.

“Rreth orës 09:55, te ish-agjencia, në rrethana ende të paqarta, është vrarë me armë zjarri shtetasi A. M., rreth 44 vjeç, si dhe ka mbetur i plagosur shtetasi Xh. S., rreth 73 vjeç, kalimtar i rastit, i cili është transportuar në spital për ndihmë mjekësore”, thuhet në njoftimin e policisë.

Në foto, viktima

73-vjeçari që mbeti i plagosur nga të shtënat me armë zjarri në qendër të Sarandës, është transportuar me helikopter drejt Spitalit të Traumës në Tiranë. 73-vjeçari  është plagosur në pjesën e kurrizit, ndërsa ndodhet nën kujdesin e mjekëve

44-vjeçari Artan Murtaj rezulton me precedentë të mëparshëm penalë dhe është përmendur në një dosje hetimore lidhur me një ngjarje të ndodhur në korrik të vitit të kaluar, ku mbetën të plagosur me armë zjarri Ernest Lama dhe Gëzim Hajdaraj.

Sipas hetimeve të asaj kohe, Ramadan Zoto dyshohet si autor i plagosjes, ndërsa Murtaj, Klaus Jacaj dhe Erjon Canaj janë akuzuar për përkrahje të autorit të krimit. Pas kësaj ngjarjeje, në Sarandë janë regjistruar edhe episode të tjera të dyshuara si hakmarrje, mes tyre vrasja me tritol e Isuf Jacajt, babait të Klaus Jacajt.

Për plagosjen e Lamës dhe Hajdarajt, Ramadan Zoto ndodhet në burg, ndërsa Artan Murtaj dhe Klaus Jacaj, të akuzuar për përkrahje të autorit të krimit, janë liruar pak kohë më parë. Erjon Canaj vijon të jetë në kërkim.

Hetuesit po verifikojnë nëse atentati i sotëm lidhet me konfliktet e mëparshme, ndërsa motivi dhe autorët e ngjarjes ende nuk janë zyrtarisht të konfirmuar.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme