BE: Do të lehtësojmë sanksionet ndaj Sirisë

Botë | 2 vite më parë

Ministrat e Jashtëm të BE-së kanë rënë dakord që të fillojnë lehtësimin e sanksioneve ndaj Sirisë pas përmbysjes së Bashar al-Assad, ndërsa Perëndimi kërkon të ndërtojë ura me udhëheqjen e re të vendit të shkatërruar nga lufta.

“Kjo mund t’i japë një shtysë ekonomisë siriane dhe të ndihmojë vendin të rikthehet në këmbë”, tha shefja e marrëdhënieve me Jashtme Kaja Kallas, pas një takimi në Bruksel.

Bashkimi Evropian  prej 27 vendesh vendosi sanksione të gjera ndaj qeverisë së Asadit dhe ekonomisë së Sirisë gjatë luftës së saj civile.

Kallas thotë se ministrat nënshkruan një ‘udhërrëfyes’ për heqjen e sanksioneve duke filluar me sektorët kryesorë si energjia, ku lehtësimi nevojitet më urgjentisht.

“Ndërsa synojmë të ecim shpejt, jemi gjithashtu të gatshëm të kthejmë kursin nëse situata përkeqësohet, dhe paralelisht, do të rrisim ndihmën humanitare dhe përpjekjet për rimëkëmbje,” tha ajo.

Evropa është e prirur të ndihmojë rindërtimin e Sirisë dhe të ndërtojë lidhje më të mira me sundimtarët e saj të rinj, pas përfundimit të sundimit pesë dekadash të familjes Assad. Por disa vende të BE-së shqetësohen për përqafimin shumë shpejt të sundimtarëve të rinj të udhëhequr nga islamistët në Damask.

BE-ja vetëm do të pezullojë sanksionet dhe nuk do t’i heqë ato përfundimisht, për të ruajtur ndikimin mbi udhëheqjen siriane.

Udhëheqësi i ri de fakto i Sirisë, Ahmed al-Sharaa, dhe grupi islamik që ai drejtonte, Hayat Tahrir al-Sham, mbeten nën sanksionet e BE-së.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme