Protesta e opozitës, Berisha: Përgjigja jonë ndaj regjimit do jetë revoltë paqësore. Ashtu rrëzuam edhe diktaturën

Politikë | 8 muaj më parë

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë fjalës së tij në protestën kombëtare, tha se revolta qytetare ka dhënë një sinjal të qartë brenda dhe jashtë vendit se opozita nuk do të lejojë, sipas tij, një grusht shteti për të mbrojtur vjedhjet e qeverisë.

“Shqipëria është një vend i bekuar, por ka përjetuar armiq të egër, të pamëshirë ndaj nesh, armiq që padyshim i kanë sjellë dëme shumë serioze kombit tonë. Nuk duhet të harrojmë shekullin që lamë pas, diktaturën e Hoxhës, persekutimet, pushkatimet, izolimin më të thellë që përjetuam. Evropa e quajti Hoxhën Hitlerin shqiptar. Jemi treguar të butë, sepse Rama është armiku më i pamëshirshëm i të sotmes dhe të ardhmes së shqiptarëve. Ai është kërcënimi më i rrezikshëm, që kalon edhe kërcënimet e regjimit të Hoxhës. Revolta juaj në protestën e kaluar dha një sinjal të qartë brenda dhe jashtë vendit se ne nuk do të lejojmë kurrë grushtin e shtetit për të mbrojtur vjedhjet e Ramës”, tha Berisha.

“Përgjigja jonë ndaj regjimit do të jetë vetëm revoltë paqësore, në atë mënyrën rrëzuam edhe diktaturën”, shtoi Berisha.

Berisha theksoi se muaji shkurt ka një simbolikë të veçantë, duke e cilësuar si muajin kur u rrëzua diktatura dhe duke shtuar se do të jetë muaji i çlirimit të Shqipërisë. Sipas tij, rezistenca e qytetarëve ka qenë vendimtare për të penguar një grusht shteti dhe për të mbrojtur demokracinë.

“Ja ku jemi këtu, edhe grushti i dytë që po përgatit do të dështojë dhe shkurti është muaji kur ne zvarritëm diktatorin dhe do të jetë muaji kur ne do të çlirojmë Shqipërinë. Po të mos ishit ju që rezistuat ndaj helmit të skaduar dhe u përballët dhëmb për dhëmb me regjimin, Rama do t’ia kishte dalë me grushtin e shtetit. Revolta juaj është opozita e vërtetë, zëri i dinjitetit të qytetarëve. Mund të na sulmojnë ditë e natë, por opozita e vërtetë me revoltën tonë parandaloi grushtin e shtetit më të rrezikshëm. Fituam një betejë, por ende nuk kemi fituar luftën. Rama i ka shpallur luftë drejtësisë dhe ka ardhur koha që Ramën ta shpallim armikun më të rrezikshëm për vendin” deklaroi Berisha.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme