Berisha-Ramës: Harroje se do ekzekutosh votën e shqiptarëve me bandat e drogës

Ish-kryeministri Sali Berisha duke folur nga banesa e tij ku ndodhet në “arrest shtëpiak” i është drejtuar kryeministrit Edi Rama se duhet ta harrojë që të luajë me votën e shqiptarëve.
Duke iu referuar zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, Berisha tha se kryeministri Edi Rama nuk mundet të ekzekutojë votën e shqiptarëve me patronazhistë dhe bandat e drogës.
“I them Edi Ramës, harroje se mund të luash më, kurrë, me votën e shqiptarëve. Harroje Edi Rama, se mund të ekzekutosh votën e shqiptarëve me patronazhistët e tu, terroristë të saj.
Se mund të ekzekutosh votën e shqiptarëve me vrasësit serialë, me bandat e drogës dhe krimit, familjet mafioze. Se mund të ekzekutosh votën e shqiptarëve me shtetin tënd elektoral narkoshtet”, u shpreh Berisha.
Ish-kryeministri nënvizoi më tej se opozita e ka betejë “jetë a vdekje” përballjen me mazhorancën dhe kjo “luftë” sipas tij fillon që në protestën e së hënës.
“Se mund të ekzekutosh me votën e shqiptarëve duke derdhur qindra e miliona narkoeuro për të blerë atë. Edi Rama kjo betejë është për jetën ose vdekjen e votës së lirë, dhe ne kurrë nuk dorëzohemi! Edi Rama, dije mirë se fillon të hënën, por nuk ndalet kurrë gjer në rikthimin e votës së lirë.
Ky është mision i shenjtë, ky është mision njerëzor, ky është mision demokratik, ky është mision kushtetues, ky është mision kombëtar. Ne do i dalim Zot!”, ka deklaruar Berisha.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




