Bonusi i bebeve, kusht qëndrimi 180 ditë në Shqipëri

Sociale | 3 vite më parë

Qeveria shqiptare synon që bonusi i bebeve të shkojë tek familjet që jetojnë në Shqipëri.  Në një vendim të miratuar të premten nga Këshilli i Ministrave, janë bërë disa ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për asistencën sociale në Republikën e Shqipërisë”.

Sipas ndryshimeve bonusi i bebes do të përfitohet nga prindi/prindërit e foshnjës së porsalindur, shtetas shqiptarë, të cilët jetojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë, të paktën 180 (njëqind e tetëdhjetë) ditë kalendarike të vitit paraardhës. 

Të dhënat do të llogariten sipas të dhënave të sistemit TIMS dhe të regjistruar sipas afateve ligjore të përcaktuara në ligjin për gjendjen civile.

“Prindi/prindërit me shtetësi tjetër, të cilët janë rezidentë të ligjshëm në Republikën e Shqipërisë, të cilëve nga shteti shqiptar u është dhënë statusi i refugjatit, i mbrojtjes plotësuese ose i azilkërkuesit dhe vendosin t’i japin foshnjës shtetësi shqiptare, sipas ligjit për shtetësinë shqiptare, dhe e regjistrojnë si shtetas shqiptar në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile”, spjegohet në vendim.

Për përfitimin e ndihmës së menjëhershme financiare për foshnjat e porsalindura, në çdo rast, prindi/prindërit, krahas dokumentacionit të përcaktuar në këtë vendim, paraqesin edhe  formularin e vetëdeklarimit, që jetojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

Qëllimi i politikës së shpërndarjes së bonusit të bebes është që të mbështesë familjet të cilat jetojnë dhe kontribuojnë në Republikën e Shqipërisë, duke i dhënë atyre një shpërblim financiar për të përballuar shpenzimet e lidhura me sjelljen në jetë të fëmijëve.

/ rtsh.al /


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme