Brazil/ Flavio Bolsonaro në avantazh ndaj Lulas, përballja finale më 25 tetor

Flavio Bolsonaro ka dalë i pari në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në Brazil dhe do të përballet në balotazh me presidentin në detyrë, Luiz Inácio Lula da Silva.
Senatori Bolsonaro ka marrë 47.14% të votave, ndërsa Lula është renditur i dyti me 45.03%, me një diferencë prej rreth 2.5 milionë votash. Dy kandidatët do të përballen në raundin e dytë më 25 tetor, pasi asnjëri nuk arriti shumicën e nevojshme për të fituar në raundin e parë.
Pas shpalljes së rezultateve në Brasília, Flavio Bolsonaro e cilësoi rezultatin si një goditje për Partinë e Punëtorëve (PT) të presidentit Lula.
“Ky votim shënon fundin e epokës së PT-së, të partisë së Lulës”, deklaroi ai, duke shtuar se brazilianët kanë votuar për ndryshimin.
“Pas tre javësh, në balotazh, brazilianët do t’i japin fund përfundimisht kësaj qeverie të korruptuar”, tha Bolsonaro.
Pjesëmarrja në zgjedhje ishte rreth 79%, në nivele të ngjashme me zgjedhjet e mëparshme. Kandidatët që nuk arritën të kalojnë në raundin e dytë morën së bashku rreth 12% të votave.
Flavio Bolsonaro, djali i ish-presidentit Jair Bolsonaro, kandidon për herë të parë për postin e presidentit. Ndërsa Lula synon të sigurojë një mandat të katërt, jo të njëpasnjëshëm, në krye të Brazilit.
Pas rezultateve, Lula e cilësoi procesin zgjedhor si një “mësim demokracie”, ndërsa rezultatin e raundit të parë e përshkroi si të papritur.
Balotazhi mes Flavio Bolsonaro dhe Lula da Silvës do të zhvillohet më 25 tetor.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





