Buxheti 2027/Beci: Tarifa 100 lekë nuk i përgjigjet më realitetit ekonomik
Nënkryetari i Këshillit Drejtues të Radio Televizionit Shqiptar (RTSH), Petrit Beci, ka ngritur shqetësime për nivelin e financimit të transmetuesit publik, tarifën e shërbimit radioteleviziv dhe mungesën e investimeve në teknologji.
Gjatë fjalës së tij në Komisionin për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, në kuadër të shqyrtimit të projektligjit “Për Buxhetin e vitit 2027”, Beci argumentoi se tarifa aktuale prej 100 lekësh nuk i përgjigjet më nivelit të të ardhurave dhe zhvillimit ekonomik të vendit.
Sipas tij, tarifa duhet të jetë të paktën 200 lekë, çka do të sillte dyfishimin e të ardhurave që RTSH përfiton aktualisht nga kjo taksë.
Ai theksoi se transmetuesi publik po përballet me kufizime financiare, të cilat e kanë orientuar drejt mbulimit të shpenzimeve administrative dhe atyre të domosdoshme, duke lënë pak hapësirë për zhvillim dhe investime.
Beci iu referua edhe standardeve të Bashkimit Evropian të Transmetuesve (EBU), sipas të cilave një media konsiderohet financiarisht e shëndetshme kur shpenzimet administrative nuk tejkalojnë 50% të të ardhurave të përgjithshme.
“Nëse taksa është vënë 100 lekë kur të ardhurat kanë diku te 3800 dollarë për kapita sot mesa di unë janë 8.8 të paktën deklarime zyrtare duhet të jetë dikur 250 lekë kjo në raport duke u krahasuar kur u vendos sepse thash që kur u vendos duhet të ishte shumë më lartë, por të paktën duhet të jetë 200 lekë që do të thotë të jetë dyfishi i të ardhurave që kanë sot nga taksa. Dyfishi i të ardhurave që ka sot nga taksa shkon në nivelin e buxhetit të sotëm të RTSH-së, të arkëtimeve.
Sot RTSh është bllokuar në shpenzime administrative dhe në shpenzime të domosdoshme që ka ne e kemi thënë dhe është edhe në materialin e EBU-së, një media quhet e mirë financiarisht kur shpenzimet administrative nuk e kalojnë 50% e të ardhurave të përgjithshme”, tha Beci.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



