SPAK kërkon 158 vite burg për vrasjet e Vajdin Lames dhe Klodian Saliut, 25 vite për Shullazin dhe Berishën

Aktualitet | 21 minuta më parë

Prokuroria e Posaçme ka kërkuar gjithsej 158 vite burg për shtatë të pandehurit e akuzuar për vrasjet e Klodian Saliut dhe Vajdin Lames në shkurt të vitit 2005. Në pretencën e paraqitur në GJKKO, SPAK ka kërkuar dënimin maksimal prej 25 vitesh burg për gjashtë prej të pandehurve, ndërsa për bashkëpunëtorin e drejtësisë, Luftar Reçi, ka kërkuar 8 vite burg.

Sipas kërkesës së prokurorisë, dënimet janë:
– Lulzim Berisha – 25 vite burg
– Emiljano Shullazi – 25 vite burg
– Plaurent Dervishaj – 25 vite burg
– Viktor Imeraj (Bajraktari) – 25 vite burg
– Indrit Taullai – 25 vite burg
– Indrit Rusi – 25 vite burg
– Luftar Reçi – 8 vite burg

Të pandehurit akuzohen për vrasje me paramendim, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, si dhe për vepra të tjera penale që lidhen me armëmbajtjen pa leje.

Dy ngjarjet për të cilat SPAK ka paraqitur pretencën ndodhën brenda 24 orëve në shkurt të vitit 2005. Më 26 shkurt, Klodian Saliu, ish-anëtar i Bandës së Durrësit, u vra me armë zjarri në automjetin e tij, në autostradën Durrës–Tiranë, pranë Maminasit.

Një ditë më pas, më 27 shkurt, biznesmeni Vajdin Lame dhe miku i tij Artan Arsi humbën jetën nga shpërthimi i një sasie eksplozivi të vendosur në ashensorin e një pallati në Tiranë.

Hetimet për këto krime u rihapën pas dëshmisë së Luftar Reçit, i cili bashkëpunoi me drejtësinë dhe dha të dhëna për organizimin dhe ekzekutimin e atentateve, si dhe rolet që, sipas tij, kishin të pandehurit.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme