Debate në komisionin e Ligjeve për Reformën Territoriale, opozita: Tërhiqni projektligjin. Manja: Qëndrim politik për një reformë të rëndësishme

Reforma Territoriale ka përplasur opozitën me mazhorancën në Komisionin e Ligjeve, ku deputetët demokratë kërkuan tërheqjen e projektligjit, duke argumentuar se ndryshimi i hartës territoriale duhet të shoqërohet paraprakisht me marrjen e mendimit të popullsisë.
Deputeti demokrat Luçiano Boçi deklaroi se projektligji nuk duhet të vijojë procedurën parlamentare pa u përmbushur, sipas tij, kërkesa kushtetuese për konsultimin paraprak me qytetarët. Boçi theksoi gjithashtu se reforma nuk mund të realizohet në mënyrë të njëanshme, duke kërkuar konsensus politik dhe qytetar.
“Propozimi ka një kusht thelbësor. Ndarja territoriale shoqërohet me mendimin paraprak të popullsisë, nuk mundet të jetë pas. Mendimi i popullsisë është mendim paraprak dhe shoqëron projektligjin, përndryshe ky projektligj është i papranueshëm dhe ky komision nuk duhej ta kishte pranuar, duhej të kishte kërkuar që të plotësohej dhe më pas të sillej këtu. Propozimi im është që ky projektligj të merret mbrapsht dhe t’i nënshtrohet një procedure kushtetuese sepse nuk mund të ecim duke shkelur mbi Kushtetutën dh enjë procedure parlamentare të rregullt ligjore. Nuk mund të vazhdohet kështu, të mbarohen dëgjesa, të merret mendimi dhe më pas të vihet këtu. Kjo reformë nuk mund të bëhet në mënyrë unilaterale. Kërkon konsensus politik dhe qytetar dhe nëse nuk realizohen këto dy kushte, secili nga deputetët ka të drejtë ta refuzojë këtë”, tha Boçi.
Edhe deputeti demokrat Oerd Bylykbashi ngriti pretendime për respektimin e dispozitave kushtetuese që lidhen me ndryshimin e kufijve të njësive të qeverisjes vendore. Sipas tij, ndryshimi i hartës territoriale nënkupton edhe ndryshim të kufijve të njësive të qeverisjes vendore dhe për këtë arsye, qytetarët duhet të pyeten.
“Kushtetuta ju thotë që kufijtë nuk mund të ndryshohen pa u marrë më parë mendimi i popullsisë që banon. Mendoni që është marrë mendimi i popullsisë? Kjo hartë po shkrin njësitë e qeverisjes vendore që do të thotë është ndryshim i hartës me ndryshim kufijsh, atë që definon ligji. Ju po i i bëni ndryshimet pa pyetur popullsinë. Nuk ka instrument më të mirë sesa referendumi. Pse nuk ja dhatë mundësinë?”, u shpreh Bylykbashi.
Përballë akuzave të opozitës, kreu i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, tha se nisma është në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit. Sipas tij, procesi i konsultimit publik është ende në zhvillim. Ai argumentoi se procedura e ndjekur për projektligjin respekton kuadrin ligjor dhe kushtetues. Manja i cilësoi qëndrimet e opozitës në mbledhjen e komisionit si politike
“Lidhur me shkeljet e pretenduara. Çdo deputet i Kuvendit, ka të drejtën të propozojë nisma. Miratimi në parim i kësaj nisme do të bëhet vetëm pasi të jetë bërë edhe diskutimi në këtë komision i mendimeve të ardhura nga konsultimi publik 60 ditor që përfundon më 29 shtator në të gjithë territorin e vendit. Kjo nismë ligjore respekton në frymë dhe në germë Kushtetutën, rregulloren e Kuvendit. Të gjitha qëndrimet e mbajtura sot në komision, ende pa u bërë prezantimi në parim i ligjit, shkon në kundërshtim me frymën e diskutimit të një projektligji dhe kanë vetëm një emër: qëndrimin politik të opozitës në raport me këtë reformë të rëndësishme”, theksoi Manja.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




