Berisha: Zhvillimet kërkojnë që PD t’u përgjigjet flakë për flakë! Vendi i çdo demokrati është në shesh

Politikë | 40 minuta më parë

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se zhvillimet e fundit në vend kërkojnë një përgjigje të fortë dhe të menjëhershme nga opozita, duke theksuar se vendi i çdo demokrati sot është në shesh.

Në një fjalim të mbajtur para demokratëve vlonjatë, Berisha ka ngritur alarmin për situatën emergjente në të cilën ndodhet vendi dhe ka nënvizuar nevojën për ripërtëritje të plotë të Partisë Demokratike.

Zhvillimet kërkojnë që PD t’u përgjigjet flakë për flakë. Ne nuk mund të pranojmë një poshtërim të përditshëm të shqiptarëve nga ky regjim. Këto që dëgjojmë dhe që dalin çdo ditë janë turpe kombëtare, janë krime kombëtare, janë krime kushtetuese,” ka deklaruar Berisha.

Ai ka theksuar se qytetarët janë tashmë në rrugë dhe në shesh në Tiranë, duke i bërë thirrje të gjithë demokratëve që të jenë të pranishëm në përballje.

Sot vendi i çdo demokrati është në shesh, është në përballje, është në betejë,” ka thënë kryetari i PD-së.

Berisha ka folur gjithashtu për situatën në Vlorë, duke theksuar se beteja nuk kufizohet vetëm në zona të caktuara si Sevaster, Novoselë, Orikum, Selenicë apo Konispol, por shtrihet më gjerë.

Vlora tani është në Bari, Romë, Uashington, Paris, Berlin. Vlonjatët janë kudo! Ripërtëritje do të thotë që ne të krijojmë një tërësi me demokratët vlonjatë dhe shqiptarët kudo që jemi për t’iu përgjigjur kësaj emergjence kombëtare,” ka deklaruar ai.

Në fjalimin e tij, Berisha ka vënë theks të veçantë te nevoja për përfshirjen e grave dhe të rinjve si element thelbësor i ripërtëritjes së partisë.

Nuk ka ripërtëritje pa vendosur në piedestalin e merituar vajzat, nënat, motrat, zonjat, zonjushat e Vlorës dhe të këtij vendi. Nuk ka ripërtëritje pa të rinjtë, pa energjinë, guximin, përkushtimin dhe angazhimin e tyre. Misioni ynë nuk përmbushet dot,” ka thënë Berisha, duke i bërë thirrje degëve të PD-së që të ndjekin shembullin e mirë të Vlorës për përfshirjen e grave.

Sipas tij, ripërtëritja kërkon afrimin e çdo vlere dhe të çdo të riu e të reje, duke e parë këtë si pjesë thelbësore të misionit të ri të partisë përballë emergjencës kombëtare.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme