Dolën dobët në zgjedhje, Rusia “thumbon” Makronin dhe “bllokun antirus” në BE

Vendimi i presidentit francez, Emanuel Makron (o. Emmanuel Macron) për të shpallur zgjedhjet e reja parlamentare pasi partia e tij u mund bindshëm në garën për deputetë të Parlamentit Europian erdhi si e papritur, sikundër fitorja e qartë e disa partive të ekstremit të djathtë nëpër kontinent.
Për Rusinë, ky ishte një vendim i parashikueshëm.
“Pavarësisht faktit se, deri tani, partitë proeuropiane e ruajnë pozicionin e tyre drejtues, me kalimin e kohës partitë e djathta do ‘kërcasin takat’ pas tyre,” komentoi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov (o. Dmitry Peskov).
Vjaçeslav Volodin (o. Vyacheslav), kreu i Dumës apo i dhomës legjislative të shtetit rus, zgjodhi rrjetin Telegram për të bërë të njohur qëndrimin e tij se “Makroni dhe Sholci po kapen pas pushtetit me thonj deri sa t’u mbarojnë fuqitë”, duke bërë pjesë të komentit edhe kryeministrin gjerman, Olaf Sholc (o. Scholz), Partia Socialdemokrate e të cilit u rendit e treta në zgjedhje, pas ultradjathtistëve të Alternativës për Gjermaninë (AfD).
“Gjëja e duhur për ta do të ishte të jepnin dorëheqjen dhe të heqin dorë nga tallja e qytetarëve,” shkroi Volodin. “Ekonomia ka mbetur në stanjacion, ka një krizë migratore dhe këto vende janë ngatërruar me luftën në Ukrainë kundër interesit të tyre kombëtar.“
Ndërsa media ruse RT, e cila është bllokuar të transmetojë në Europë, shkroi të hënën se “partitë që kanë kundërshtuar sanksionet kundër Rusisë janë rritur në zgjedhjet e BE-së”, si partia e Marinë lë Penit në Francë apo AfD-ja në Gjermani. /Politico
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




