Dyshime për një vatër infeksioni me murtajën e ruminantëve të vegjël në bashkinë e Ersekës
Në juglindje të vendit janë ngritur dyshime për një vatër infeksioni me murtajën e ruminantëve të vegjël, një sëmundje e rrezikshme që prek tufat e bagëtive dhe ka pasoja të rënda për blegtorinë.
Sipas drejtorit të përgjithshëm të Autoritetit Kombëtar të Veterinarisë, Roland Mecaj, shërbimi veterinar i juglindjes ka marrë mostrat e një tufe bagëtish të dyshuara si të infektuara dhe janë dërguar për analiza laboratorike. Sipas analizave fillestare, tufa është konfirmuar si e infektuar me murtajë, por duhet pritur përfundimi i analizave.
“Ky vit është specifik, kemi tufa që nuk shfaqin shenja klinike, por e mbartin infeksionin. Sipas analizave laboratorike fillestare, kemi një konfirmim për një vatër në qarkun e Korçës dhe presim analizat e dyta përfundimtare. Nëse do të kemi konfirmim me ruminantët e vegjël, do të merren masat e nevojshme.”
Nga ana tjetër, drejtori i përgjithshëm i Autoritetit Kombëtar të Veterinarisë ka bërë me dije se të gjithë blegtorët në vend, përfshi edhe ata të juglindjes, të cilët vitin e kaluar kanë humbur fermat e tyre blegtorale për shkak të murtajës së ruminantëve të vegjël, do të shpërblehen për dëmet e shkaktuara.
“Ka dëmtuar 2200 krerë të imta dhe e gjithë vlera do të dëmshpërblehet nga buxheti i shtetit. Është në proces kalimi i vlerave financiare nga shërbimet veterinare. Vlera është alokuar dhe është në proces.”
Vitin e kaluar ka pasur me qindra krerë të imtash të ngordhura për shkak të këtij infeksioni, ndërsa me urdhër të ministrit të Bujqësisë së fundmi është ndaluar shtegtimi i blegtorisë nga vendet fqinje, përfshi edhe Greqinë.
“Ministria e Bujqësisë, me urdhër të ministrit, po zbaton një plan të detajuar kontrolli për murtajën e ruminantëve të vegjël në të gjithë Shqipërinë. Ky plan përfshin marrjen e mbi 10 mijë mostrave nga rreth 708 ferma në të gjithë vendin, me qëllim verifikimin e gjendjes së tufave dhe identifikimin e çdo rasti të mundshëm të sëmundjes. Edhe pse aktualisht nuk janë konstatuar shenja klinike të qarta, analizat laboratorike të kryera me serologji kanë dhënë një konfirmim të një vatre në qarkun e Korçës. Për momentin po pritet përgjigjja e analizave të dyta me metodën PCR, e cila do të japë rezultatin përfundimtar. Në rast se konfirmohet një rast pozitiv, do të merren menjëherë të gjitha masat e nevojshme për izolimin e tufave të prekura. Masat e menjëhershme të vendosura përfshijnë ndalimin e transportit të shumëfishtë të kafshëve, ndalimin e lëvizjes së tyre në tregje dhe ndalimin e qarkullimit nga një fermë tek tjetra. Lëvizja drejt kullotave lejohet vetëm për tufat që kanë rezultuar negative në testet laboratorike. Ky plan i kontrollit synon të garantojë sigurinë e tufave, të parandalojë përhapjen e sëmundjes dhe të mbrojë sektorin e blegtorisë në vend.” u shpreh për RTSH Roland Mecaj.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





