Eksperimentimi me farat në Lushnje, fermerët po orinetohen drejt prodhimit pa kimikate dhe jetëgjatësi në eksport

Në parcelat eksperimentale të Qendrës së Transferimit të Teknologjive Bujqësore në Lushnje, po testohen hibride të reja me rendiment të lartë dhe rezistencë më të madhe ndaj transportit, një element i rëndësishëm për eksportin e prodhimit. Krahas tyre, po eksperimentohen edhe varietete autoktone, të cilat konsiderohen me potencial të veçantë për zhvillimin e agroturizmit dhe tregjeve lokale.
“Nëse fermeri del në prodhim me kapacitete të mëdha sigurisht që do hibride me kapacitet të lartë prodhues dhe me tregues të mirë. Fermerët me prodhime më të vogla mbjell dhe material autokton për vlerat e veçanta që ka për degustimin”, tha Prof. Dr. Vladimir Malo.
Mbrojtja biologjike e bimëve po shikohet si një mënyrë e sigurt për reduktimin e përdorimit të kimikateve në bimë. Fermerët po aplikojnë gjithnjë e më shumë insekte të dobishme në serrat diellore për të luftuar dëmtuesit.
“Po bëj tre vite që kam nisur mbrojtjen biologjike dhe jam shumë i kënaqur dhe prodhimi na shtohet me 30-40 % më shumë se nuk kemi djegie nga pesticidet”, tha një fermer.
Specialistët vlerësojnë se puna kërkimore dhe shkencore në këto parcela u jep fermerëve mundësinë të njohin nga afër rezultatet e seleksionimit gjenetik dhe të zgjedhin kultivarët më të përshtatshëm sipas kushteve klimatike të zonave.
/RTSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





