Fermerët e Lunxhërisë nisin vjeljen e rrushit, një ditë në vreshtat e fermerit Theodhoraq Kondi
Sot jemi duke ndjekur një nga proceset më të bukur, por edhe më të lodhshëm të bujqësisë, atë të vjeljes së rrushit.
Pas muajsh pune dhe përkushtimi më në fund fermerët e Lunxhërisë po korrin frytet e punës së tyre.
Aktualisht jemi në parcelën e fermerit Teodhoraq Kondi nga fshati Nokovë, i cili prej 25 vitesh merret me kultivimin e vreshtave.
“Punën e nisim që herët në mëngjes për arsye se edhe temperaturat janë të larta, që të punojmë në freskllëk. Prodhimi duket i mbarë, me cilësi. Kemi shërbyer gjatë pranverës dhe kemi arritur sot në pikun e vjeljes. Unë kam 4 dynymë vreshta,” thotë fermeri.
Mbledhja e rrushit është vetëm fillimi i punës për fermerët e Lunxhërisë. Pas kësaj, nis një tjetër proces po aq i rëndësishëm, tregtimi i rrushit të freskët dhe përpunimi i tij për të prodhuar verën dhe rakinë tradicionale.
“I magazinojmë në shtëpi. I shtypim me makineri. I fermentojmë nëpër kazanë të mëdhenj dhe nxjerrim raki ose verë. Ne kemi kërkesa kryesisht për rakinë, që e tregtojmë,” tregon z. Kondi.
Mbledhja e rrushit është momenti kulminant i një viti pune për fermerët e Lunxhërisë. Për Theodhoraq Kondin dhe të gjithë fermerët e zonës, çdo tufë e mbledhur është dëshmi e përkushtimit, pasionit dhe respektit për tokën.
Ky është një moment që bashkon traditën me punën e përditshme, duke ruajtur identitetin e vreshtarisë në Nokovë dhe gjithë Lunxherinë.
Gazetare: Boralda Pëllumbi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





