Fillimi i vitit shkollor – Si ta përballojnë fëmijët më lehtë, këshilla për prindërit

Arsim | 1 vit më parë

Rikthimi në bankat e shkollës shënon një ndryshim të madh në rutinën e fëmijëve, sidomos për ata që hyjnë për herë të parë në sistemin arsimor.

Punonjësi social, Albert Cepi shpjegon se për parashkollorët dhe nxënësit e klasës së parë, ky moment shpesh përjetohet me ankth, pasi lidhet me shkëputjen nga familja dhe përballjen me një ambient të ri.

Ndërkohë, për nxënësit më të rritur, nisja e vitit shkollor është më shumë një atmosferë gëzimi dhe ri takimi me miqtë e mësuesit.

“Është një periudhë gëzimi për ato fëmijë që kanë filluar më parë shkollën se takohen me shokët dhe nga krahu tjetër mund të jetë disi me ankth për fëmijët që nisin klasën e parë të cilët shkëputen nga jeta parashkollore”, u shpreh Cepi.

Cepi thekson se prindërit nuk duhet të përqendrohen vetëm tek aspekti material, si blerja e mjeteve shkollore apo veshjeve, por të investojnë në komunikim të ngrohtë me fëmijët, duke i përgatitur emocionalisht për këtë periudhë.

“Fillimi i shkollës është një kohë gëzimi dhe një kohë ku tregon që fëmijët janë duke u rritur. Tregon që ata janë duke mësuar më shumë nga çdo përvojë për tu rritur dhe maturuar të shëndetshëm”, tha ai.

Një qasje e kujdesshme dhe mbështetëse nga prindërit ndihmon fëmijët të përshtaten më shpejt me ritmin e ri të shkollës dhe t’i shijojnë përvojat e para mësimore me besim dhe gëzim.

Gazetare: E.  Fili

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme