Gjirokastër – 48 nxënës zgjedhin shkollën profesionale në tri programe, Hoteleri-Turizëm jashtë funksionit

Arsim | 1 vit më parë

Në tri programe mësimore ka pritur nxënës për herë të parë këtë vit të ri mësimor shkolla e mesme profesionale “Thoma Papapano” në Gjirokastër.

Edhe pse e çelur vjet si degë e re, Hoteleri-Turizmi nuk arriti të siguronte numrin minimal të nxënësve.

“Për sa i përket numrit të regjistrimeve në klasat e dhjeta, shohim që ka një balancë midis nxënësve të regjistruar në drejtimin mësimor Teknologji Informacioni dhe Komunikimi, dhe Shërbime Mjete Transporti, dhe pas tyre vjen drejtimi mësimor Termo-Hidraulik. Gjithsej në klasën e 10-të tashmë kemi 48 nxënës të regjistruar. Kemi regjistrime edhe në dy drejtimet e tjera, në drejtimin Elektro-Teknik dhe në drejtimin Hoteleri-Turizëm, por që nuk u përmbush numri minimal për çeljen e këtij drejtimi mësimor, duke pasur parasysh numrin e nxënësve për klasë,” tregon drejtoresha Renata Puleri.

Të rinjtë vijnë nga zona të ndryshme të rajonit jugor për të marrë një profesion që sipas tyre do t’i ndihmojë të hyjnë shpejt në tregun e punës.

“Unë vij nga fshati Kodër i Tepelenës. E zgjodha këtë shkollë ngaqë dua të futem më shpejt në tregun e punës. Kam zgjedhur degën Mekanik.“

“Unë vij nga fshati Nepravishtë. E kam zgjedhur këtë shkollë për Mekanik, se në kohët e sotme në Gjirokastër kërkohet shumë.“

Këtë vit mësimor shkolla profesionale “Thoma Papapano” frekuentohet në të gjitha vitet nga 150 nxënës.

Gazetare: Yllka Ponde

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme