Gjuha shqipe pa kufij, universiteti i Shkodrës hap kurset për të huajt dhe diasporën
Departamenti i Gjuhës Shqipe në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi” pasuron ofertën akademike edhe me kurset e gjuhës shqipe për të huajt dhe shqiptarët që jetojnë jashtë atdheut. Kjo risi u ofrohet si përmes leksioneve të zhvilluara në ambientet e universitetit, ashtu edhe online, duke krijuar mundësi për ndjekjen e mësimit nga çdo vend i botës.
Drejtuesja e departamentit, Orjeta Baja, thekson se programet janë të strukturuara për të gjitha nivelet e gjuhës dhe ofrojnë një përvojë të plotë mësimore, me staf të kualifikuar dhe metodologji bashkëkohore.
Këto kurse synojnë jo vetëm mësimin e gjuhës shqipe sipas standardeve bashkëkohore akademike, por edhe promovimin e kulturës, historisë dhe traditës shqiptare si dhe forcimin e lidhjeve me komunitetin shqiptar jashtë vendit.
Përmes kësaj nisme, Universiteti I Shkodrës synon të kthehet në një qendër referimi për studimin dhe përhapjen e gjuhës shqipe në nivel ndërkombëtar, duke ndërtuar ura të qëndrueshme bashkëpunimi me diasporën dhe partnerë akademikë jashtë Shqipërisë.
Gazetar: A. Hoti
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





