Hungaria heq veton ndaj bisedimeve të anëtarësimit të Ukrainës në BE

Europë | 29 minuta më parë

Ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian në Bruksel kanë hapur rrugën për avancimin e negociatave të anëtarësimit me Ukrainën dhe Moldavinë, pasi Hungaria hoqi kundërshtimin e saj ndaj hapjes së kapitujve të rinj negociues.

Budapesti kishte bllokuar procesin që nga vera, duke kërkuar që Ukraina të miratonte legjislacion që garanton mbrojtjen e të drejtave arsimore të pakicës hungareze në vend.

Hapi i radhës është miratimi nga kryeqytetet e vendeve anëtare i qëndrimeve të përbashkëta të BE-së, gjë që mund të çojë në hapjen zyrtare të dy grupeve të reja negociuese gjatë një Konference Ndërqeveritare që pritet të zhvillohet në fillim të javës së ardhshme.

Nëse ky hap finalizohet, Ukrainës do t’i mbeten për t’u hapur vetëm dy nga gjashtë grupet negociuese: grupi i politikës dixhitale dhe industriale, si dhe grupi që mbulon energjinë dhe klimën.

Më herët gjatë javës, Hungaria sinjalizoi se do të tërhiqte veton nëse parlamenti ukrainas miratonte një marrëveshje të arritur me Budapestin për mbrojtjen e të drejtave të pakicës hungareze. Votimi në Radën e Ukrainës është planifikuar për të hënën e ardhshme.

Një diplomat i BE-së tha se miratimi i legjislacionit nga Ukraina pritet të krijojë konsensusin e nevojshëm në Këshill për hapjen e grupeve 2 dhe 3 negociuese, ndërsa i njëjti proces pritet të vlejë edhe për Moldavinë.

BE-ja kishte hapur grupet e para negociuese me Ukrainën në qershor dhe korrik, por përparimi i mëtejshëm u bllokua nga qeveria hungareze derisa të zgjidhej çështja e të drejtave të pakicave.

Ndërkohë, Komisioni Evropian prezantoi këtë javë një rishikim të politikës së zgjerimit, sipas të cilit vendet kandidate për anëtarësim do t’i nënshtrohen një periudhe monitorimi deri në 15 vjet. Sipas propozimit të ri, BE-ja do të ketë mundësinë të pezullojë të drejtat e votës së një anëtari të ri në Këshillin e BE-së në rast të shkeljeve serioze të vlerave themelore të unionit ose të parimit të bashkëpunimit të ndershëm ndërmjet shteteve anëtare.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme