Kalimi i anijeve me naftë në Ngushticën e Hormuzit-Kina hyn në bisedime me Iranin

Azi | 7 muaj më parë

Kina ka hyrë në bisedime me Iranin për të lejuar kalimin e sigurt të anijeve me naftë të papërpunuar dhe gaz natyror të lëngshëm (LNG) nga Katari përmes ngushticës së Hormuzit, ndërsa lufta SHBA-Izrael kundër Teheranit intensifikohet.

Lufta, që hyri në ditën e gjashtë të enjten, ka lënë pothuajse të mbyllur këtë rrugë kyçe detare, duke ndërprerë furnizimet me rreth një të pestën e naftës dhe gazit natyror të lëngshëm global.

Kina, që ka marrëdhënie miqësore me Iranin dhe varet shumë nga furnizimet nga Lindja e Mesme, është e pakënaqur me lëvizjen e Republikës Islamike për të paralizuar trafikun në ngushticën e Hormuzit dhe po i shtyn Teheranin të lejojë kalimin e sigurt për anijet, sipas burimeve.

Ekonomia e dytë më e madhe në botë merr rreth 45% të naftës së saj nga Ngushtica e Hormuzit.

Çmimet e naftës së papërpunuar janë rritur më shumë se 15% që nga fillimi i konfliktit, për shkak të ndërprerjeve në prodhim pasi Teherani sulmon instalimet energjetike në Gjirin Persik si dhe anijet që kalojnë nëpër ngushticë.

Raketat e Iranit kanë arritur edhe në vende si Qipro, Azerbajxhani dhe Turqia, duke destabilizuar tregjet globale dhe duke nxitur ekonomitë e mëdha të paralajmërojnë rreziqe inflacioni.

Qeveria e Iranit tha më herët gjatë javës se asnjë anije që i përket SHBA-së, Izraelit, vendeve evropiane ose aleatëve të tyre nuk do të lejohet të kalojë nëpër Ngushticën e Hormuzit, por deklarata nuk përmendi Kinën teksa Pekini po luan një rol kyç diplomatik për të mbrojtur interesat e saj energjetike.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme