Karakaçi: Hekurudha Tiranë-Durrës, funksionale në 2027-ën

Aktualitet | 4 muaj më parë

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, deklaroi se projekti i hekurudhës Tiranë–Durrës po hyn në fazën përfundimtare të realizimit dhe pritet të jetë plotësisht funksionale në vitin 2027.

Sipas ministrit, punimet kryesore të shinave janë përfunduar, ndërsa vonesat në projekt janë shkaktuar nga fakti se fillimisht kredia me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ishte marrë për një projekt të paplotë, pa përfshirë elektrifikimin dhe stacionet.

Ai theksoi se këto komponentë janë tashmë të përfshirë dhe se po zhvillohet edhe procedura e prokurimit për elektrifikimin, që përbën fazën përmbyllëse të projektit.

“Për sa i përket afatit të vënies në punë të hekurudhës Tiranë-Durrës, përbërja e shinave ka përfunduar dhe është një ndër projektet me Bankën Evropiane për rindërtim dhe zhvillim, ka pasur vonesa përkatëse për shkak se projekti i hekurudhës kur është marrë kredia e parë ka qenë e pa plotë dhe nuk kishte akoma fazën e elektrifikimit dhe stacionet përkatëse që për fat të mirë sot janë ezauruar. Sot kemi edhe procedure prokurimi për sa i përket elektrifikimit që është faza përmbyllëse e kësaj procedure për hekurudhat. Ndërkohë element i rëndësishëm është edhe fakti që hekurudha shqiptare pasi e ka maturuar projektin me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka vendosur të bëjë përmbylljen e 4 KM të fundit për ta sjellë hekurudhën në pikën e vet ku ka qenë gjithmonë në Stacionin e trenit në Tiranë dhe kjo procedurë është nisur. Vlerësoj që viti 2027 ky projekt është tërësisht i realizueshëm dhe do të stepesha për të dhënë një afat fundor. Por mund të them se në 2027 do të kemi vijën e parë hekurudhore funksionale në Shqipëri’, u shpreh ministri.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme