Komisioni Antikorrupsion, Prokuroria e Përgjithshme: Japim opinione, nuk dërgojmë ekspertë

Politikë | 2 vite më parë

Prokuroria e Përgjithshme ka refuzuar ftesën e Fatmir Xhafajt për t’u bërë pjesë e Komisionit Antikorrupsion me ekspertët e vet.

Në reagimin, Prokuroria e Përgjithshme thotë se është gati të japë opinione mbi fusha të caktuara që lidhen me kuadrin ligjor të sistemit të drejtësisë, por ekspertët e saj nuk do të marrin pjesë në këtë komision.

“Prokuroria e Përgjithshme ka shprehur vullnetin të bashkëpunojë me Komisionin e Posaçëm Parlamentar “Për thellimin e Reformave për Mirëqeverisjen, Sundimin e Ligjit dhe Antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian” për çdo çështje të natyrës teknike që lidhet me kuadrin kushtetues e ligjor brenda të cilit funksionon prokuroria dhe sistemi i drejtësisë.

Prokuroria nuk do të marrë pjesë me ekspertë si pjesë të nëngrupit të punës së komisionit, por ka njoftuar komisionin për caktimin e pikave të kontaktit të institucionit sipas fushave përkatëse të ekspertizës, të cilët do të bashkëpunojnë me komisionin në formën e dhënies së opinioneve mbi produktet e punës së këtij të fundit në të gjitha rastet që do t’u kërkohet prej tij”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Përgjithshme.

Pjesëmarrja me ekspertët e tyre në këtë komision u refuzua edhe nga Gjykata Kushtetuese, SPAK dhe Gjykata e lartë.

Më herët, kreu i komisionit të posaçëm parlamentar “Për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian”, Fatmir Xhafajt i drejtoi një kërkesë institucioneve të drejtësisë për t’u bërë pjesë me caktimin e përfaqësuesve/ekspertë të tyre në komisionin e posaçëm parlamentar.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme