Krijohet “atlasi i verës” shqiptare, qeveria përcakton hartën e zonave të kultivimit

Bujqësi | 9 muaj më parë

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka përgatitur një projektvendim të rëndësishëm që synon miratimin zyrtar të zonave të prodhimit të rrushit për verë.

Sipas relacionit shoqërues, për herë të parë, vendi do të ketë një klasifikim të detajuar të territorit, bazuar në studime klimatike dhe gjeologjike, duke i dhënë fund mbjelljeve kaotike dhe duke orientuar investimet drejt cilësisë së lartë për tregjet evropiane.

Harta e re shkencore, ku duhet mbjellë rrushi?

Nisma bazohet në studimin e thelluar “Për zonat e kultivimit të vreshtave për verë” dhe zbaton ligjin e vitit 2022. Qëllimi është krijimi i zonave homogjene, ku toka dhe klima garantojnë rendiment dhe cilësi maksimale.

Sipas relacionit, zonat janë përcaktuar duke analizuar:

Klimën, zonat nën 600 metra lartësi (ultësira dhe kodra) rezultojnë ideale për pjekjen e rrushit.

Tokat aluviale me aciditet të ekuilibruar (pH 6.7–7.3) janë vlerësuar si “Klasa S1-S2”, pra më të përshtatshmet.

Topografinë, pjerrësia ideale për vreshtat cilësore është përcaktuar 5-15% me orientim nga Jugu ose Jug-Perëndimi për diellëzim maksimal.

Mbrojtja e varieteteve autoktone

Një nga pikat më të forta të këtij projekti është krijimi i zonave të dedikuara për varietetet “Made in Albania”.

Harta e re do të përcaktojë tokat specifike ku varietetet si Kallmet, Sheshi i Zi, Sheshi i Bardhë, Vlosh, Serina dhe Debina japin rezultatin më të mirë.

“Ky zonim është hapi i domosdoshëm ligjor që verërat shqiptare të marrin certifikatat ndërkombëtare të origjinës (të njohura si PDO/PGI), duke rritur vlerën e tyre në eksport.“, thuhet në relacion.

Projektvendimi sjell edhe udhëzime të reja për investitorët. Studimi dekurajon mbjelljet e reja në zona me pjerrësi mbi 20%. Këto terrene konsiderohen të papërshtatshme për shkak të vështirësisë në mekanizim (përdorimin e makinerive bujqësore) dhe kostos së lartë të mirëmbajtjes. Gjithashtu, tokat shumë argjilore apo me drenazh të dobët klasifikohen si jo-fitimprurëse pa ndërhyrje të kushtueshme.

Standardet e BE-së

Edhe pse nuk ka një kosto shtesë për buxhetin e shtetit, ky vendim konsiderohet jetik për ekonominë bujqësore. Ai përafron Shqipërinë me praktikat e Bashkimit Evropian, duke krijuar një “pasaportë” për verën shqiptare dhe duke orientuar fondet e subvencioneve vetëm aty ku toka premton prodhim cilësor.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme