Kujdesi për bagëtitë gjatë verës, ajrimi i stallave element i domosdoshëm për të kontrolluar pneumonitë

Bujqësi | 3 muaj më parë

Temperaturat e larta që në këtë periudhë kalojnë 30 gradë Celsius ndikojnë jo vetëm te njerëzit, por edhe te bagëtitë. Specialisti veteriner, Bajram Peposhi, tregon masat që duhen marrë për të mbrojtur bagëtitë gjatë ditëve me temperatura të larta. Sipas tij, është e rëndësishme që stallat të ajrosen vazhdimisht, kafshët të kenë ujë të bollshëm dhe kullotja të bëhet në orët e hershme të mëngjesit ose në mbrëmje, kur temperaturat janë më të ulëta.

“Nga periudha e korrikut deri më 15 shtator, temperaturat janë ekstreme dhe shumë të larta. Tufat e mëdha të deleve dhe dhive zakonisht ngjiten në bjeshkë, ku klima është më e freskët. Ndërsa tufat e vogla me 50, 30 apo edhe 10–15 krerë qëndrojnë në zonat rurale afër qendrave të banuara. Pikërisht këto janë më problematike, sepse mund të kullosin vetëm deri në orën 10:00 paradite. Pas kësaj ore, duhet të qëndrojnë në hije ose në stalla, dhe kullotja rifillon vetëm pas orës 16:00–17:00, kur temperaturat bien. Më të ndjeshme ndaj nxehtësisë janë gjedhët: lopët, viçat dhe gjerri. Për këto, stalla duhet të ketë ajrim dhe ventilim të mirë. Nëse mungojnë këto kushte, rreziku është i madh: shfaqen pneumoni dhe probleme të frymëmarrjes, të cilat mund të çojnë deri në ngordhjen e kafshëve.”

Peposhi thekson se shërbimi veterinar është në terren, duke këshilluar blegtorët dhe duke monitoruar nga afër gjendjen e bagëtive, me qëllim parandalimin e çdo problemi shëndetësor.

“Shërbimet janë të terren dhe mjekojnë çdo ditë pneumë të temperaturave të larta.”

Sipas specialistëve, aktualisht qarku i Kukësit mbetet i pastër dhe i paprekur nga sëmundje infektive, si murtaja e bagëtive apo sëmundje të tjera që prekin kafshët, ndërsa monitorimi dhe kontrollet vazhdojnë në të gjithë territorin.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme