Kukës – Reshjet e fundit nuk kanë shkaktuar probleme në bujqësi, ndikuan pozitivisht
Gjatë 24 orëve të fundit, reshjet e shiut në rajonin e Kukësit kanë pasur ndikim pozitiv në kulturat bujqësore.
Ato kanë qenë të qeta, pa breshër dhe erë të fortë, duke mos shkaktuar probleme si tek pemët frutore ashtu edhe tek perimet.
Agronomi me përvojë disadekadëshe, Faik Stanisha, u shpreh se këto reshje ishin shumë të nevojshme për tokën dhe bimësinë. Sipas tij,shiu i rënë në këtë periudhë ndihmon në rigjallërimin e kulturave dhe krijon kushte të favorshme për sezonin e mbjelljeve të reja.
“Ka qenë shumë i përshtatshëm, qoftë për misrin, qoftë për perimet. Te perimet duhet pasur kujdes pas reshjeve, se shfaqin sëmundje,” thotë agronomi.
Stanisha thekson gjithashtu se me afrimin e muajit shtator, fermerët duhet të nisin përgatitjen e tokës për mbjelljen e thekrës dhe farërave të tjera.
“Vakti është që në zonën e lartë, në qoftë se ka mbaruar korrja, qysh në ditët e para të shtatorit duhet të fillojnë të mbjellim thekrën. Nuk ka ndonjë të keqe,” deklaron z. Stanisha.
Ai shton se edhe pse puna e mbjelljes nuk ka filluar ende, ka interes për blerjen e farërave.
Fundi i muajit gusht dhe fillimi i shtatorit shënon periudhën kur fermerët përgatiten për kulturat e reja bujqësore pas përfundimit të korrjes së grurit dhe barit.
Gazetar: Dashmir Shehu
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





