Kurset e formimit profesional në Gjirokastër – 717 kursantë të regjistruar gjatë vitit 2025
Formimi profesional po bëhet një nga shtyllat kryesore për punësimin dhe aftësimin e burimeve njerëzore në qytetin e Gjirokastrës. Gjatë vitit 2025, në rreth 40 kurse që ofron Qendra e Formimit Profesional janë regjistruar 717 persona.
Pjesa më e madhe e kursantëve janë të rinj, të cilët e shohin formimin profesional si një mundësi konkrete për t’u integruar në tregun e punës. Drejtoresha e qendrës, Mira Lapa, thekson se interesimi ka ardhur gjithnjë në rritje, falë programeve praktike dhe certifikatave të njohura edhe jashtë vendit.
“Ka pasur kërkesa të larta në disa kurse sidomos në kuzhinë, udhërrëfyes turistik, aftësi digjitale dhe kurse të tjera. Mund të themi që më shumë kanë qenë të rinjtë për të përfituar një zanat”, u shpreh drejtoresha Mira Lapa.
Ndërkohë, brenda qendrës po vijon puna për ngritjen e katër kabineteve të reja profesionale, të cilat pritet të jenë gati në muajin mars. Këto ambiente do t’u mundësojnë kursantëve që si teorinë, ashtu edhe praktikën, ta zhvillojnë brenda qendrës, pa pasur nevojë t’u drejtohen bizneseve të jashtme.
Aktualisht, kurset ndiqen kryesisht nga grupmosha 30–35 vjeç, ndërsa qendra ka lidhur marrëveshje bashkëpunimi me rreth 25 biznese që operojnë në qytetin e Gjirokastrës për zhvillimin e praktikave profesionale.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





