Luftanijet ruse mbërrijnë në Kubë për të treguar forcën

Katër anije detare ruse – duke përfshirë një nëndetëse me energji bërthamore dhe një fregatë – kanë mbërritur në Kubë, në atë që shihet si një shfaqje force mes tensioneve me Perëndimin për luftën në Ukrainë.
Anijet janë të ankoruara në Gjirin e Havanës – rreth 145 km nga shteti amerikan i Floridës. Ministria ruse e mbrojtjes thotë se fregata Admiral Gorshkov dhe nëndetësja Kazan janë të dyja bartëse të armëve të avancuara, duke përfshirë raketat hipersonike Zircon.
Më parë ata kryen stërvitje me raketa në Atlantik. Por ministria e jashtme e Kubës thotë se asnjë nga anijet nuk ka armë bërthamore në bord dhe vizita e tyre pesë-ditore nuk përbën kërcënim për rajonin. Zyrtarët amerikanë thonë se po e monitorojnë nga afër vizitën.
Marina e SHBA-së përdori gjithashtu drone detare për të hijezuar anijet ruse teksa ato iu afruan Kubës, raporton partneri amerikan i BBC-së, CBS.
Ushtria amerikane pret që stërvitjet të përfshijnë një numër të vogël luftanijesh ruse, të cilat mund të bëjnë një ndalesë edhe në Venezuelë.
Rusia është një aleate e kahershme e Venezuelës dhe Kubës, dhe luftanijet dhe avionët e saj herë pas here kanë vizituar rajonin e Karaibeve. Por ky mision vjen më pak se dy javë pasi Presidenti Joe Biden autorizoi Ukrainën të përdorë armët amerikane për të goditur objektiva brenda Rusisë në përpjekjet për të mbrojtur Kharkivin, qytetin e dytë më të madh të Ukrainës. Pas këtij vendimi, presidenti Vladimir Putin sugjeroi se ushtria e tij mund të përgjigjej “në mënyrë asimetrike” në një zonë tjetër të botës.

“Mbi të gjitha, luftanijet janë një kujtesë për Uashingtonin se është e bezdisshme kur një kundërshtar ndërhyn afër vendit tuaj”, tha Benjamin Gedan, ekspert i Amerikës Latine në Qendrën Wilson në Uashington, duke iu referuar përfshirjes së Perëndimit në luftën e Rusisë në Ukrainë.
“Kjo gjithashtu u kujton miqve të Rusisë në rajon, përfshirë kundërshtarët e Amerikës, si Kuba dhe Venezuela, se Moska është në anën e tyre”.
Zyrtarët amerikanë javën e kaluar thanë se luftanijet ruse pritej të qëndronin në rajon gjatë gjithë verës.
Luftanijet ruse janë ankoruar herë pas here në Havanë që nga viti 2008, kur një grup luftanijesh ruse hynë në ujërat e Kubës, një veprim që në atë kohë media shtetërore tha se ishte vizita e parë ruse e këtij lloji në pothuajse dy dekada. Në vitin 2015, një anije zbulimi dhe komunikimi mbërriti pa paralajmërim në Havanë, një ditë përpara fillimit të bisedimeve mes zyrtarëve amerikanë dhe atyre kubanë për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike. BBC
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




