Masat për sezonin turistik veror, mblidhet Komiteti Rajonal për Zhvillimin e Turizmit
Në Voskopojë u zhvillua mbledhja e Komitetit Rajonal për Zhvillimin e Turizmit për sezonin veror 2026, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve vendore dhe qendrore, si edhe të zv.ministrit të Punëve të Brendshme, Xhemal Qefalia.
Takimi u organizua me fokus koordinimin e masave për mbarëvajtjen e sezonit turistik dhe rritjen e standardeve të shërbimeve në Qarkun Korçë.
Gjatë takimit u vlerësua potenciali turistik i zonës dhe rëndësia e koordinimit mes institucioneve për një sezon veror të sigurt dhe të suksesshëm.
“Në kohën e sezonit të turizme kërkohet një angazhim dhe një koordinim i të gjithë sektorëve. Të ballafaqohemi edhe të bëhemi gjithë bashkë që numri i turistëve dhe turistët të jenë të kënaqur për mënyrën e shërbimit, e pritjes, e mënyrës se si do ju qasen objektet kulturore, historike për ta bërë atraktive gjithë kohën e qëndrimit të tyre në në qarkun e Korçës”, tha Xhemal Qefalia, Zv.ministër i Punëve të Brendshme.
“Patjetër që në këtë proces një rol kryesor luajnë bashkitë e qarkut. sepse ato ndikojnë drejtpërdrejt në infrastrukturë, në ndriçim, në promovimin e aktiviteteve kulturore, artistike, sportive, në publikimin e këtyre aktiviteteve dhe në funksionimin e zyrave të informacionit turistik”, tha Florinda Zegullaj Prefekte e Qarkut Korçë.
Gjatë mbledhjes u diskutua për sigurinë publike dhe turistike, menaxhimin e flukseve të vizitorëve, mbrojtjen e mjedisit dhe promovimin e trashëgimisë kulturore e natyrore. Takimi u mbyll me angazhimin e institucioneve për të vijuar bashkëpunimin dhe masat konkrete në funksion të një sezoni turistik sa më të sigurt dhe të suksesshëm për Qarkun Korçë.
Gazetare: E. Fili
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





