Matrikullimi i bagëtive në Shkodër – Proces i detyrueshëm për sigurinë dhe skemat e subvencioneve
Teksa na ndajnë vetëm pak ditë nga hapja zyrtare e aplikimeve për skemat mbështetëse, shërbimi veterinar në Shkodër ka zbritur në terren duke orientuar fermerët në kryerjen e këtij procesi. Sipas përgjegjësit Mark Preçi, matrikullimi i bagëtive krahas garantimit të sigurisë është kusht në përfitimin e skemave të subvencioneve.
“Ky është një proces i shtrirë gjatë të gjithë vitit, por momentalisht kur jemi në prag të aplikimeve të subvencioneve bëhet edhe më i domosdoshëm matrikullimi”, u shpreh Preçi.
Vitin e shkuar ka pasur fermerë të cilët janë penalizuar nga përfitimi i granteve pasi kanë matrikulluar bagëtitë pas aplikimit në këto skema gjë që ka bërë përjashtimin e tyre.
“Vitin e kaluar ka pasur raste që fermer të ndryshëm nuk kanë përfituar mbështetje financiare vetëm prej faktit sepse ato kanë kryer procesin e matrikullimit vetëm mbasi ato kanë kryeraplikimin”, u shpreh ai.
Në qarkun Shkodër janë rreth 32 mijë ferma të regjistruara prej të cilave vetëm 18 mijë janë aktive. Identifikimi individual i kafshëve dhe regjistrimi i fermave blegtorale në RUDA, është hapi i parë i formalizimit të sektorit dhe siguron gjurmueshmërinë e shëndetit të kafshëve dhe produkteve me origjinë shtazore.
Gazetar: M. Gjoni
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





