Mbrojtja e faunës në Liqenin e Ohrit, shpallet ndalimi i peshkimit për sezonin e riprodhimit 2026

Bujqësi | 5 muaj më parë

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka nxjerrë Urdhrin, i cili sanksionon ndalimin e menjëhershëm të peshkimit në liqenin e Ohrit për disa lloje peshqish. Ky vendim vjen si një masë e domosdoshme për të garantuar procesin e riprodhimit natyror të faunës ujore, me fokus të veçantë te krapit dhe gjuhca.

Sipas udhëzimit të nënshkruar nga Ministri Andis Salla, kufizimet nisin nga data 20 prill dhe do të zgjasin deri në mesin e verës, duke përfshirë rregulla strikte për mjetet e gjuetisë dhe zonat e lejuara.

Ndalimi specifikon pushimin e çdo aktiviteti peshkimi (përveç peshkut Koran) në afatet e mëposhtme:

Gjuhca (Cironka) nga 20 prilli deri më 20 korrik 2026.

Krapi nga 20 prilli deri më 20 korrik 2026.

Zona breglidore nga 20 korriku deri më 20 gusht, ndalohet rreptësisht peshkimi me rrjeta në fashën prej 300 metrash nga bregu.

“Ky urdhër synon mbrojtjen e ciklit jetësor të specieve autoktone dhe koordinimin e veprimtarive teknike për grumbullimin e riprodhuesve në Qendrën e Linit,” thuhet në tekstin e urdhrit.

Menaxhimi i riprodhimit dhe monitorimi

Për të siguruar vazhdimësinë e popullatës së krapit, Drejtoria e Shërbimeve të Peshkimit do të koordinojë një operacion të veçantë me Qendrën e Prodhimit të Rasateve në fshatin Lin. Për këtë qëllim, do të angazhohen jo më shumë se 20 peshkatarë me përvojë, të cilët do të lejohen të peshkojnë vetëm riprodhuesit e krapit nën mbikëqyrje teknike.

Gjithashtu, Organizata e Menaxhimit të Peshkimit (OMP) Pogradec është ngarkuar me detyrën e zhvendosjes së vezëve të peshkut në rast se niveli i ujit në liqen pëson rënie, duke parandaluar tharjen e tyre.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme