Më shumë orë për Rozafën, kalaja hyn në sezonin veror me orar të zgjatur dhe projekt rijetëzimi
Kalaja “Rozafa” vijon të mbetet një nga destinacionet më të frekuentuara turistike në Shkodër dhe në gjithë vendin. Vetëm gjatë muajit prill, monumenti më i rëndësishëm historik i qytetit ka regjistruar rreth 17 mijë vizitorë vendas dhe të huaj.
Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Shkodër, Helidon Sokoli, shprehet se interesi në rritje i turistëve ka sjellë edhe zgjatjen e orarit të vizitave gjatë sezonit veror, duke u krijuar mundësi më shumë vizitorëve për të eksploruar kalanë dhe historinë e saj.
“Ne këtë vit kemi si risi edhe zgjatjen e orarit të vizitueshmërisë së kalasë deri në orën 20, çka sjell edhe një lehtësi edhe për grupet turistike që i drejtohen kalasë në orët e pasdites për të evituar orën e pikun e periudhës së nxehtë”, tha Sokoli.
Sokoli bën të ditur se Kalaja “Rozafa” pritet t’i nënshtrohet së shpejti një projekti rijetëzimi, i cili synon përmirësimin e infrastrukturës dhe kthimin e saj në një hapësirë edhe më tërheqëse për turizmin kulturor.
“Projekti tashmë është miratuar në Ministrinë e Turizmit, Kulturës dhe Sporteve. Është në fazën, në procedurën e tenderimeve. Është një projekt që zhvillohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit me financim nga Banka Europiane për zhvillim. Do përkojë ndoshta me sezonin turistik, por ne do gjejmë atë mënyrën e organizimit të punës”, theksoi Sokoli.
Parku Arkeologjik i Shkodrës renditet ndër pesë sitet më të vizituara në vend gjatë muajve janar-prill 2026. Ai ka pritur 33,273 vizitorë, duke regjistruar një rritje prej 87% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





