Ministri Hoxha pret homologun e Maqedonisë së Veriut: Rrisim lehtësitë në pikëkalimet kufitare

Politikë | 2 vite më parë

Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha priti këtë të premte (4 shtator) homologun e Maqedonisë së Veriut, Pançe Toshkovski. Ata diskutuan hapat konkretë për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe në fusha me interes të përbashkët.

Palët folën veçanërisht për implementimin e kontrollit të përbashkët kufitar dhe lehtësimin e regjimit të kalimit në pikën e përbashkët të kalimit kufitar në Qafë Thanë/Kafasan, rehabilitimin dhe rikonstruksionin e PKK Bllatë/Spas dhe aplikimin e “One Stop Shop” edhe në këtë pikë.

Gjithashtu në fokus ishte edhe ndryshimi dhe plotësimi i marrëveshjes dhe projekteve infrastrukturore për pikën e e përbashkët kufitare Xhepisht – Trebishtë me qëllim rritjen e numrit të banorëve përfitues për lehtësi në qarkullim, menaxhimin dhe kontrollin dhe mirëmbajtjen e vazhdueshme të vijës kufitare mes dy shteteve dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm për luftën kundër krimit të organizuar dhe emigracionit të paligjshëm.

Dy ministrat trajtuan gjatë takimit mundësinë e shkëmbimit të përvojave në reformat policore. Ndër të tjera, ata ndanë pikëpamjet mbi zgjerimin e Bashkimit Evropian dhe integrimin e Ballkanit Perëndimor.

“Shpreha bindjen tonë se, integrimi i Ballkanit Perëndimor në familjen evropiane është alternativa e vetme dhe më e mirë, për një demokraci të qëndrueshme dhe për më shumë siguri e stabilitet në rajon dhe në Evropë”, theksoi ministri Hoxha.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme