Ministri Salla: Evakuuam disa ferma, siguruam ushqim për kafshët e rrezikuara. Po kryhet verifikimi i saktë i dëmeve në bujqësi

Aktualitet | 9 muaj më parë

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, ka dhënë detaje mbi masat e marra për përballimin e situatës së krijuar nga reshjet intensive të ditëve të fundit, duke theksuar se ekipet e ministrisë janë të angazhuara në terren për të evidentuar dëmet dhe për të mbështetur fermerët e prekur.

Duke folur në mbledhjen e Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile, të drejtuar nga Kryeministri Edi Rama, Salla tha se “ekipet e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural kanë qenë dhe janë në terren, duke ngritur grupe verifikimi në të gjitha zonat e prekura, me praninë e veterinerëve për të evidentuar me saktësi dëmet në blegtori. Ekspertët tanë po ofrojnë asistencë për fermerët në çdo zonë të prekur”.

Ai bëri të ditur se në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes janë kryer evakuime të disa fermave blegtorale të rrezikuara nga prania e ujit, ndërsa është siguruar furnizim me bazë ushqimore për kafshët në fermat që kanë pasur nevojë emergjente. “Kemi bërë evakuimin e disa fermave të rrezikuara, por edhe ato për të cilat ka pasur ndërhyrje me ushqim për kafshët”, u shpreh ministri.

Salla theksoi se hidrovoret janë në gatishmëri të plotë dhe kanë funksionuar normalisht në të gjithë territorin, duke ndihmuar në procesin e normalizimit të situatës. “Hidrovoret janë në gatishmëri ku kanë funksionuar normalisht në të gjithë Shqipërinë, gjë që na ka ndihmuar në të gjithë procesin”, tha ai.

Ministri shtoi se po punohet paralelisht për hapjen dhe pastrimin e kanaleve kulluese, ndërsa 29 ekskavatorë janë vënë në dispozicion në nivel kombëtar për të ndërhyrë në zonat më problematike. “Po punojmë për hapjen dhe pastrimin e kanaleve kulluese, kemi 29 ekskavatorë në gatishmëri në nivel kombëtar, të cilët kanë qenë në terren 24 orë për të monitoruar dhe ndërhyrë”, deklaroi Salla.

Ai njoftoi gjithashtu se vijon puna për riparimin e argjinaturave të dëmtuara. “Kemi ndërhyrë në riparimin e argjinaturave në Sheqeras, Bilisht dhe Devoll, ndërsa puna vazhdon akoma në dy çarje në Sheqeras-Devoll dhe Bilisht-Boboshticë, ku kemi pasur një përmbytje të konsiderueshme”, tha ministri.

Salla siguroi se institucionet përkatëse do të vijojnë monitorimin dhe mbështetjen e fermerëve deri në përballimin e plotë të pasojave të motit të keq. “Jemi të angazhuar të kryejmë një vlerësim të saktë të dëmeve në bujqësi dhe për të gjithë të prekurit nga kjo situatë, me qëllim që të kemi një pasqyrë të plotë të gjendjes”, u shpreh ai.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme