Misri me kimikate të dëmshme, konfirmojnë analizat, sasia e bllokuar në Han të Hotit e rrezikshme
Dy sasitë e misrit që vinin nga Serbia për në Shqipëri dhe që u bllokuan në mes të nëntorit në doganën e Hanit të Hotit kanë rezultuar me kimikate të dëmshme. Ky konfirmim vjen nga drejtori i AKU-së Shkodër, Ramir Haderi, i cili bëri të ditur se njëra ngarkesë është kthyer mbrapsht ndërsa ngarkesa e dytë është asgjësuar.
“Aktualisht kanë ardhur vetëm dy përgjigje analizash, për dy ngarkesa. Një që është bërë në kthim në origjinë dhe një ngarkesë tjetër që ka shkuar për asgjësim. Pra rreth 52 ton janë kthyer në origjinë dhe 52 ton të tjera janë për asgjësim të produktit. Po ashtu edhe një fermë në qarkun Shkodër, pas daljes së analizës pozitive për rastin e flotoksinës, një ngarkesë ka shkuar për asgjësim të produktit,” tha Haderi.
Ai tregoi se tashmë ka nisur plani i masave për kontrollet në terren përgjatë 2 javëve të fundit të dhjetorit. Sasia e konsumit është rritur ndaj edhe monitorimi është i shtuar.
“Duke qenë se është muaj i festave dhe ka shtim të konsumit të produkteve ushqimore, ne kemi një plan masash të miratuar nga ministria dhe drejtoria e përgjithshme, ku në fokus kryesor janë të gjitha stabilimentet me risk të lartë dhe po ashtu edhe ku konsumi është më i lartë. Sidomos në Bashkinë Shkodër, me rritjen e numrit të turistëve dhe fluksin e lartë, kemi bërë të mundur një kontroll dhe monitorim të vazhdueshëm të situatës,” shtoi ai.
Bulmeti dhe mishi janë në fokus të kontrolleve përgjatë këtij muaji. Po ashtu dogana e Hanit të Hotit vijon të jetë në fazë monitorimi intensive nga ana e Autoritetit të Kontrollit Ushqimor Shkodër.
Gazetare: M. Gjoni
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





