Mourinho s’ka larguar tensionin mes lojtarëve në Madrid, Mbappe thyen urdhërat e portugezit

Afrimi i një figure të fortë si ajo e Jose Mourinho-s të paktën deri më tani nuk ka dhënë frytet e pritura. Sipas “Cadena Ser” dhomat e zhveshjes të klubit madrilen mbeten një ambient ku mbizotëron tensioni.
Akulli i krijuar nga sherret e sezonit të kaluar nuk është shkrirë ende edhe pse portugezi ka disa javë që punon në këtë drejtim.
Sipas shtypit spanjoll për Mourinho-n po kthehet në problem edhe Kylian Mbappe. Ylli i Francës u largua nga kombëtarja pasi stafi mjekëve i gjeti një dëmtim në ligamentet e gjurit, por sulmuesi në ditët që pasuan atë vizitë ka bërë gjithçka që nuk duhet të bëjë një lojtar, i cili është në fazë rikuperimi.
Mbappe u fotografua në orët e vona të natës në një lokal të njohur në Paris në shoqërinë e të dashurës së tij, Ester Esposito. Më pas ai postoi një fotografi duke pedaluar në Alpet e Francës, aktivitet ky që i është ndaluar rreptësisht nga Mourinho për lojtarët e tij.
“Secili prej jush duhet të jetë futbollist me kohë të plotë. Ç’do veprim që bëjnë reflekton punën që bëjmë. Ushqimi, gjumi dhe jeta private tregojnë sa profesionist jemi. Askush prej nesh nuk mund të bëjë ski apo të pedalojë pasi në rastin më të mirë nëse dëmtohet do të duhet të qëndrojë jashtë fushave për disa ndeshje. Nuk mund të rrezikojmë që të rrëzohemi nga biçikleta dhe të pësojmë dëmtime që mund të na kushtëzojnë karrierën. E pranoj, të jesh një futbollist profesiosnist kërkon shumë sakrifica”, ka thënë Mourinho para pak javësh. A.V.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




