Ndryshon ligji “Për tokën bujqësore”, Kuvendi hap rrugën për teknologjitë e reja, kombinimi i paneleve diellore me kultivimin bujqësor dhe energjinë eolike

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka dekretuar ligjin e ri nr. 69/2026 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9244, datë 17.6.2004, ‘Për mbrojtjen e tokës bujqësore’”, i cili sjell një kuadër të ri rregullator për modernizimin e sektorit bujqësor në Shqipëri. Projektligji i miratuar nga Kuvendi legalizon dhe normon përdorimin e teknologjive inovative të kultivimit si dhe kombinimin e bujqësisë me prodhimin e energjisë së rinovueshme.
Kuptime të reja ligjore, aeroponia, akuaponia dhe hidroponia
Përmes këtij ndryshimi ligjor, në legjislacionin shqiptar integrohen zyrtarisht për herë të parë konceptet e bujqësisë me intensitet të lartë teknologjik. Ligji nr. 69/2026 shton në nenin 2 të ligjit ekzistues përkufizimet e sakta për teknikat bashkëkohore të prodhimit.
Gjatë përcaktimit të këtij kuadri të ri konceptual, ligji zyrtarizon:
“12. “Aeroponia” është teknika e kultivimit të bimëve, duke i mbajtur rrënjët e tyre të varura në hapësirë, në të cilën aplikohet periodikisht ose pa ndërprerje tretësirë ushqimore në formë pluhuri.
13. “Akuaponia” është një sistem i integruar bujqësie dhe akuakulture, që kombinon rritjen e organizmave ujorë si dhe kultivimin e bimëve në një cikël të mbyllur.
14. “Hidroponia” është teknika e kultivimit të bimëve në tretësirë ujore, e cila mund të përfshijë substrat inorganik ose organik.”
Ndryshimet parashikojnë gjithashtu lejimin e ndërtimit të infrastrukturës mbështetëse për këto teknologji dhe akuakulturën në tokat bujqësore.
Agri-fotovoltaika, parku eolik dhe tarifa për zhvillimin rural
Pjesë e rëndësishme e ligjit të ri është edhe rregullimi i ushtrimit të aktivitetit agri-fotovoltaik (kombinimi i paneleve diellore me kultivimin bujqësor) si dhe instalimi i parqeve eolike në tokat bujqësore me bonitet deri në klasën 8.
Për të garantuar që prodhimi i energjisë i shërben drejtpërdrejt bujqësisë, ligji parashikon krijimin e një takse të veçantë për operatorët energjetikë.
“Këshilli i Ministrave përcakton kriteret për përdorimin e tokës bujqësore për kryerjen e aktivitetit agrifotovoltaik dhe të atij eolik në tokat bujqësore me bonitet deri në 8 si dhe tarifën që paguajnë subjektet që tregtojnë energjinë e prodhuar në centralet e energjisë së rinovueshme agrifotovoltaike në toka bujqësore. Tarifa transferohet në programin për bujqësinë dhe zhvillimin rural për mbështetjen e bujqësisë.”, thuhet në ligj.
Hyrja në fuqi dhe aktet nënligjore
Me dekretimin nga Presidenti më 29 korrik 2026 (Dekreti nr. 438) dhe botimin në Fletoren Zyrtare Nr. 167, ligji hyn në fuqi 15 ditë pas botimit. Këshilli i Ministrave ngarkohet që brenda një afati 6-mujor të miratojë vendimet nënligjore me propozimin e Ministrisë së Bujqësisë, të cilat do të përcaktojnë kriteret e detajuara teknike dhe procedurale për zbatimin e këtij ligji në terren.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





