Në Gjirokastër janë pastruar 6,100 metra linearë nga 23 mijë të parashikuara
Bashkia Gjirokastër ka nisur pastrimin e kanaleve kulluese në njësitë administrative që ka në juridiksion, si masë parandaluese ndaj përmbytjeve në prag të sezonit të dimrit.
Ndërhyrjet synojnë jo vetëm rrugët dhe hapësirat urbane, por edhe zonat bujqësore, ku prania e ujit të tepërt rrezikon dëmtimin e kulturave dhe prodhimit.
Aktualisht po punohet në zonën e Lunxhërisë, ku deri tani janë pastruar rreth 6,100 metra linearë kanale nga 23 mijë metra të planifikuara.
Përgjegjësi i Sektorit të Ujitjes dhe Kullimit në Gjirokastër, Tomorr Shehu, u shpreh se “Kemi filluar me intensitet pastrimin e kanaleve kulluese, pasi dihet që jemi para sezonit të dimrit dhe si rrjedhojë reshjet e shiut sjellin përmbytje në tokat e fermerëve. Për të shmangur këtë situatë, jemi duke punuar në zonën e Lunxhërisë me dy mjete të rënda. Deri tani janë pastruar 6,100 metra linearë kanal kullues.”
Ky proces është i domosdoshëm për mbrojtjen e tokës bujqësore dhe parandalimin e dëmeve ekonomike. Punimet do të vijojnë gjatë muajve në vijim në pikat më problematike.
“Agjencia e Zhvillimit të Pyjeve dhe Bujqësisë, Kullimit dhe Vaditjes është e përqendruar aktualisht në të gjitha njësitë administrative të Bashkisë Gjirokastër. Aktualisht po punohet në Lunxhëri, ndërsa më pas do të vazhdohet në njësinë Cepo, Andon Poçi, Antigonë dhe Lazarat” shtoi përgjegjësi i Sektorit të Ujitjes dhe Kullimit në Gjirokastër, Tomorr Shehu.
Këto ndërhyrje konsiderohen të nevojshme për të garantuar një sezon dimëror më të sigurt, duke mbrojtur infrastrukturën dhe tokat bujqësore, si dhe për të lehtësuar jetën e qytetarëve.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





