Nga prodhimi individual te fuqia e bashkimit, Rama në Dibër: Shoqëritë e Bashkuara Bujqësore, modeli i ri për integrimin në tregun e BE-së
Kryeministri Edi Rama, së bashku me ministrin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, zhvilluan sot një takim me fermerët në kuadër të turit “Punët e Shqipërisë”.
Në këtë takim, Rama vendosi në qendër të diskutimit idenë e Shoqërive të Bashkuara Bujqësore (SHBB), duke e cilësuar si një fazë të re dhe të domosdoshme për bujqësinë shqiptare.
“Ne nuk jemi më të dëshiruar, por të detyruar të hyjmë në këtë fazë të re të bujqësisë, që është faza e bashkimit. E bashkimit që bën fuqinë, jo si kooperativat e dikurshme, por si kooperativat e Bashkimit Europian.”
Ai shpjegoi se modeli i ri nuk ka lidhje me kooperativat e komunizmit, por është i frymëzuar nga praktikat moderne të BE-së:
“Bashkimi Europian funksionon me kooperativa, por ndryshe nga ato të komunizmit. Secili prodhon më vete dhe të gjithë shesin bashkë. Duke shitur bashkë krijojnë një volum shumë më të madh, pra kanë një pozitë negociuese shumë më të fortë me blerësin. Harmonizojnë veprimtarinë prodhuese, mbjellin me një farë, ndajnë kostot e punimit dhe përkujdesjes, më pas grumbullojnë, ambalazhojnë dhe shesin.”
Rama nënvizoi se ky koncept është i parashikuar në ligj për të shmangur frikën e trashëguar nga kooperativat e komunizmit.
“Shoqëri të Bashkuara Bujqësore, SHBB. Kështu janë quajtur në ligj për të shmangur atë frikën e madhe që vjen nga trauma e të shkuarës, që po na mbledhin tani në kooperativë këta socialistët. Në fakt, ne e kemi nxitur këtë punë prej kohësh.”
Duke sjellë shembuj konkretë, Rama përmendi zonat ku bashkimi ka dhënë rezultate të prekshme:
“Ka lulëzuar Shqipëria rurale, ka lulëzuar Shqipëria bujqësore, si në Xarrë e Konispol, ku fermerët kanë kuptuar se duke shitur mandarinat bashkë, kur vijnë grosistët, kanë volum dhe forcë. Jo t’i mbledhin copa-copa. Delet që ndahen nga tufa i ha ujku, kanë thënë të moçmit.”
Ky model i SHBB-ve, sipas Kryeministrit, është një hap i domosdoshëm për të rritur konkurrueshmërinë e prodhimeve shqiptare në tregun europian, për të ulur kostot e prodhimit dhe për të garantuar standarde të përbashkëta për eksport. Rama e cilësoi këtë transformim si një rrugë të pashmangshme për integrimin e bujqësisë shqiptare në BE dhe për fuqizimin e fermerëve në treg.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





