Nis testimi i farave autoktone, eksperimenti shtrihet në disa kultura perimore në fushën e Korçës

Bujqësi | 4 muaj më parë

Në fushat eksperimentale të Qendrës së Transferimit të Teknologjive Bujqësore në Korçë ka nisur mbjellja dhe testimi i farave autoktone të disa kulturave perimore.

Ky eksperiment realizohet për herë të parë në këto përmasa dhe synon të vlerësojë sjelljen, prodhimtarinë dhe përshtatshmërinë e varieteteve tradicionale në kushtet klimatike dhe tokësore të zonës.

“Ndryshimet kli9materike që kanë pësuar vitet e fundit në vendit tonë janë një ndër sfidat kryesore të fermerëve të cilët duhet të përshtatin ato kultivar që japin rendiment dhe janë më rezistent ndaj sëmundjeve”, u shpreh përparim Kuqo, Përgjegjës i sektorit të bimëve të arave, QTTB Korçë.

Kuqo thotë se testimi do të përfshijë disa lloje perimesh që tradicionalisht janë kultivuar në rajon. Specialistët do të ndjekin gjatë gjithë sezonit zhvillimin e bimëve, rezistencën ndaj sëmundjeve, rendimentin dhe cilësinë e prodhimit.

“Në fund do të nxirren rezultatet dhe do të rekomandohet tek fermerët se cilët nga këto kultivar janë më të mirë për tu mbjell. Qëllimi është kultivimi i tyre dhe pritshmëritë do të transferohen përmes një raporti statistikor i cili bëhet në fund të vitit”, tha ai.

Rezultatet e testimeve do të monitorohen gjatë gjithë sezonit dhe pritet të shërbejnë si një bazë e rëndësishme për studime të mëtejshme dhe për orientimin e fermerëve drejt praktikave më efikase të kultivimit.

Gazetare: G. Manushi  

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme